Era e tymit në Shkup vjen nga zjarri pranë Graçanit, lufta me flakët vazhdon prej tre ditësh

Në territorin e Shkupit është aktiv një zjarr, i cili ka hyrë nga ana e Kosovës dhe po shkakton tym të dendur. Zjarrfikësit vazhdojnë luftën me flakët me mbështetjen e një helikopteri dhe aeroplanëve zjarrfikës, ndërsa tymi është ndjerë në disa lagje të qytetit.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, njoftoi se në territorin e Qytetit të Shkupit është aktiv vetëm një zjarr në terren të hapur. Zjarri, i cili dy ditë më parë ka kaluar nga territori i Kosovës në atë të Maqedonisë së Veriut, ndodhet pranë fshatit Graçan, në komunën e Gjorçe Petrovit.
Sipas Angellovit, zjarri nuk rrezikon zonat e banuara. Kryesisht po digjen bar, shkurre dhe dëllinja të ulëta, të cilat krijojnë flakë të mëdha dhe tym edhe më të dendur. Në disa pjesë, zjarri përhapet pranë tokës përmes një pylli të përzier.
“Ditën e mërkurë, përveç zjarrfikësve të Shkupit, në shuarje morën pjesë edhe dy aeroplanë zjarrfikës të DMS-së. Dje (e enjte), një helikopter policor i Maqedonisë së Veriut ndihmoi shërbimet kosovare të zjarrfikësve, duke ndërhyrë nga ana e Kosovës, ku zjarri ishte më intensiv, pasi bëhet fjalë për të njëjtin zjarr që është aktiv në të dyja anët e kufirit. Zjarrfikësit e Shkupit ndërhynë nga ana maqedonase”, tha Angellov.
Mbrëmë, era ka fryrë në drejtim të Shkupit, ndërsa tymi nga zjarri, i cili është aktiv si në territorin e Kosovës ashtu edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, është ndjerë në disa lagje të kryeqytetit.
“Ky është i njëjti tym që të gjithë ne që punojmë në shuarjen e zjarreve në terrene të hapura e thithim çdo ditë, nga afër, në përqendrim pakrahasimisht më të madh. Zjarrfikësit e Shkupit gjatë gjithë natës kanë qenë në pjesë të vijës së zjarrit, por për shkak të terrenit të vështirë për t’u arritur, shuarja gjatë natës ishte e vështirësuar ose e pamundur”, tha Angellov.
Ai njoftoi se mëngjesin e sotëm shuarja do të vazhdojë me një numër të shtuar zjarrfikësish. Mbështetje nga ajri do të ofrojnë dy aeroplanë zjarrfikës të DMS-së, një helikopter policor dhe një helikopter i ushtrisë.



