Durmishi paralajmëron për skenarë provokues në Tetovë: Ka informacione për tentativa për incidente dhe tensione ndëretnike

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka njoftuar se institucionet kanë marrë informacione shqetësuese për skenarë që, sipas tij, synojnë destabilizimin e situatës në Tetovë.
Durmishi tha se, bazuar në informacionet e marra gjatë natës dhe ditës së sotme, persona të caktuar që pritet të mbërrijnë në Tetovë mund të tentojnë të shkaktojnë incidente përmes demolimit të objekteve publike, përleshjeve me policinë ose nxitjes së incidenteve ndëretnike.
Sipas tij, qëllimi i këtyre veprimeve është krijimi i tensioneve artificiale dhe shtrembërimi i fakteve dhe i përgjegjësisë.
Ministri bëri të ditur se të gjitha institucionet, në nivel qendror dhe lokal, janë në koordinim të vazhdueshëm për të parandaluar çdo skenar të tillë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e, siç u shpreh ai, personave të infiltruar me qëllime të errëta politike.
Në deklaratën e tij, Durmishi theksoi se, ndonëse sipas tij nuk ka kuptim të protestohet në Tetovë për një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, e drejta për protestë është e garantuar dhe institucionet do ta mbrojnë këtë të drejtë.



