Kurtishi: Dy automjete të reja për Postën e Dibrës, investimet do të vazhdojnë

Drejtori i Përgjithshëm i Postave të Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka njoftuar për dorëzimin e automjeteve të reja për nevojat e shërbimeve postare në Njësinë e Postës në Dibër.
Sipas Kurtishit, bëhet fjalë për dy automjete të reja, të cilat përfaqësojnë një investim të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve postare, një investim që sipas tij ka munguar prej vitesh.
“Sot, në Njësinë e Postës së Dibrës, realizuam dorëzimin e automjeteve të reja për shërbimet postare. Dy automjete të reja përfaqësojnë një investim të rëndësishëm, i cili kishte munguar prej vitesh”, ka deklaruar Kurtishi.
Ai theksoi se investimet për Dibrën do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, duke paralajmëruar angazhim më të madh për zhvillimin dhe modernizimin e shërbimeve.
“Investimet për Dibrën do të vazhdojnë edhe më fuqishëm në periudhën në vijim. Ne vazhdojmë të punojmë me dinjitet dhe përgjegjësi, në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të institucionit tonë”, ka shtuar ai.
Dorëzimi i automjeteve të reja pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve postare dhe përmirësimin e funksionimit të Postës në rajonin e Dibrës.


