Dramë me pengje në Gjermani/ një serb dorëzohet pasi mbajti peng vajzat e tij dhe qëlloi ndaj një polici

Një dramë disaorëshe me pengje në qytetin gjerman Dortmund përfundoi në orët e hershme të mëngjesit, pasi një burrë 51-vjeçar u dorëzua në polici.
Sipas mediave gjermane, i dyshuari më herët kishte qëlluar ndaj një polici, e më pas ishte barrikaduar në një shtëpi në lagjen Hëhstën së bashku me tre fëmijët e tij.
Ngjarja nisi mbrëmjen e kaluar, kur policia mori një thirrje për ndihmë. Me të mbërritur në adresën në rrugën Vitbrojker, policët gjetën një burrë i cili, sipas hetimeve, kishte qëlluar me një armë të kalibrit të vogël në drejtim të njërit prej policëve.
Plumbi goditi jelekun mbrojtës të policit, i cili shpëtoi me lëndime të lehta.
Pas të shtënave, i dyshuari u largua drejt shtëpisë ku u barrikadua bashkë me tre vajzat e tij, të moshës shtatë, dhjetë dhe dymbëdhjetë vjeç. Në vendngjarje u dërguan menjëherë njësitë speciale, të cilat rrethuan objektin gjatë natës me mbështetje të mjeteve të blinduara dhe ekipit negociator.
Sipas gazetës gjermane „Bild“, bëhet fjalë për një shtetas të Serbisë i cili para incidentit kishte shkaktuar trazira në një restorant, ku dyshohet se kishte kërcënuar klientët, kishte tundur një shkop dhe kishte përdorur sprej. Më pas ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes me makinë.
Pas disa orësh negociata, gjatë të cilave thuhet se kishte qenë në kontakt me prindërit e tij, burri u dorëzua në polici rreth orës 03:30 të mëngjesit pa bërë rezistencë. Fëmijët nuk pësuan lëndime dhe iu dorëzuan shërbimeve përkatëse.
Policia gjermane vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti, i cili tërhoqi vëmendje të madhe publike gjatë natës dhe çoi në një operacion të gjerë sigurie në Dortmund.



