Dogana zbulon mbi 124 mijë euro në makinë, serbit i konfiskohen 64.250 euro

Zyrtarët doganorë në hyrje të pikës kufitare Tabanoc kanë parandaluar një tentativë për transferim të paligjshëm të 64.250 eurove në para të gatshme, të zbuluara gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane, me të cilin udhëtonte një shtetas grek, njoftoi mëngjesin e sotëm Drejtoria Doganore.
Nga Dogana bëjnë të ditur se valuta është konfiskuar, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente.

“Në këtë rast konkret, në pyetjen e zyrtarëve doganorë nëse kishte diçka për të deklaruar, personi deklaroi 60 mijë euro, duke paraqitur formularin e lëshuar gjatë hyrjes në Republikën e Serbisë. Për shkak të dyshimeve lidhur me deklarimin, zyrtarët doganorë, së bashku me një polic të FRONTEX-it, kryen një kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën gjithsej 124.250 euro. Në përputhje me Ligjin për Operacionet Devizore, personit iu kthyen 60 mijë eurot e deklaruara, ndërsa pjesa tjetër u konfiskua”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Ata shtojnë se gjatë këtij viti janë zbuluar gjithsej 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës, ku janë konfiskuar gjithsej 820.675 euro, 141.300 funte britanike dhe 35 mijë dollarë australianë.



