Digjitalizimi i drejtësisë në RMV: Shasivari paralajmëron institucione më efikase dhe të sigurta

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar takim pune me përfaqësues të kompanisë KING ICT Maqedoni (DSP), ku është diskutuar avancimi i procesit të digjitalizimit të institucioneve të drejtësisë dhe forcimi i sigurisë së sistemeve të TI-së.
Në takim morën pjesë Vlatko Petrevski, drejtor i KING ICT Maqedoni (DSP), Maja Lazarova, menaxhere e projektit, dhe Marija Jorgaqievski, asistente e projektit.
Shasivari bëri të ditur se gjatë takimit janë shqyrtuar aktivitetet në kuadër të komponentit IPA III „Digjitalizimi i përmirësuar i institucioneve shtetërore në fushën e gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit“.
Fokusi i diskutimeve, sipas ministrit, ishte avancimi i menaxhimit të teknologjisë së informacionit, përmbushja e kushteve dhe rezultateve të përcaktuara, si dhe zbatimi i masave të sigurisë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Transformimi digjital i drejtësisë nuk është vetëm çështje teknologjie – ai është një parakusht i rëndësishëm për një sistem drejtësie më efikas, më të sigurt dhe bashkëkohor”, deklaroi Shasivari.
Ministri theksoi se qëllimi i tij është krijimi i një sistemi drejtësie që përdor teknologji moderne, mbron të dhënat dhe proceset digjitale dhe rrit efikasitetin e sigurinë e institucioneve.
“Qëllimi im është i qartë: një sistem drejtësie që përdor teknologji moderne, mbron të dhënat dhe proceset digjitale dhe garanton më shumë efikasitet dhe siguri në punën e institucioneve”, u shpreh ai.
Shasivari shtoi se digjitalizimi i përgjegjshëm dhe standardet e larta të sigurisë së TI-së janë thelbësore për ndërtimin e institucioneve më të fuqishme dhe më rezistente.
“Me digjitalizim të përgjegjshëm dhe standarde të larta të sigurisë së TI-së, ndërtojmë institucione më të fuqishme e më rezistente dhe një sistem drejtësie të përgatitur për standardet evropiane”, përfundoi ministri.



