Dëgjomë, djalosh..!

Shkruan: Driton Demiri

Megjithëqë filloj ndeshja,

…Dhe unë kam lozur futboll! Edhe atë për 21 vite, aktive në futbollin amator. Suksesi më i madh ka qenë kur me ekipin (klubin) e katundit u ngjitëm një rang më lartë, në ligë të ashtuquajtur e të kategorizuar, të tretë. Në atë finale play-off-i, ku korrëm fitore me rezultat të ngushtë tre me dy, unë shënova dy golat vendimtar të fitores, e të shpallurit kampion. Njërin me një gjuajtje, me të majtë, me një pjerrtësi, mu në cep të pjesës së djathtë të golit, nga një distancë 15 metërshe, futur në brendi të zonës 16 metërshe. E, tjetrin me lob prej 20 metra, ndofta më shumë, por nuk më kujtohet mirë, nga ana e majtë e fushës. Ka patur edhe shumë ndjenja kënaqësie, të tjera. Në ndeshjen me ekipin (klubin) rival të një katundi tjetër,( ku edhe fillova karrierën amatore në futboll), po në atë vit të kampionatit, shënova të vetmin, po ashtu golin vendimtar të fitores. E gjithë tifozëria në atë ndeshje u përlotën nga gëzimi. Ndërkaq, tre kupa i kam fituar në futboll të vogël, në turne të ndryshme që organizoheshin. Por, asnjëra nuk është e vendit të parë. Dy janë të vendit të dytë, një vendit të tretë. E shumë e shumë gjysmëfinale. Sepse shumë hile po bëheshe, atë kohë. Sinqerisht, po të them, djalosh. Ne si grup, si ekip, ishim shumë të ri,…prandaj ndodhte hileja,… si të ri, nxeheshim shpejtë me padrejtësinë, por s’kishe çka të bësh, kalonte dhe bëheshim më të fortë. Eh, çfarë ekipi, djalosh,… po të duash ti tregoj dhe kush ishim, me një të mbyllmë sysh. Nuk paguheshim, me përjashtim të ndonjë ndeshjeje më përcaktuese. Kjo plotësisht është një e vërtetë.

-Kur unë, shënoja, bëja gola me stilin gërshërë, siç i thonë ndryshe, roveshatë, edhe pse, atë kohë, kamerat, ekzistonin, por klubet amatore nuk dispononin me pajisje të tilla. Ndërsa smartfonët nuk kishte, s’ekzistonin. Njerëzit, tifozët, i regjistronin në memorie mendore e në zemër. Dhe sa herë vinte rasti, i përkujtonin me një entuziazëm të pasoshëm. Akoma ka të tillë, nga ata, që i përkujtojnë sa herë që më takojnë. Derisa, shumë të rinj, që atëherë, përpiqeshin të më imitojnë. Disa më konsideronin, se isha një yll i futbollit në rrethinë.

Sa për mua, edhe pse futbollist amator, sillesha si profesionist, le ta them ashtu, djalosh. I pari arrija në fushë, si në stërvitje, si në ndeshje. Dhe i fundit ikja, pas. Kur i bëja, shënoja golat, festoja kërcimthi lartë në ajër dhe çoja të dy duart lartë e më lartë, njëra pas tjetrës, me një britmë të veçantë për atë kohë,…YAAA. Ndryshe, kisha nofkën, për nder të një futbollisti argjentinas, i cili la gjurmë të lavdishme si në historinë e futbollit ndërkombëtar si të atij argjentinas, si një ndër qendërsulmuesit më të spikatur. Ngjaja, ngaqë, mbaja flokë të gjatë si ai, dhe isha i pamëshirshëm para golit. Shënoja gola, thuajse identik si të tij. Me kokë, thembër, gërshërë, thuaja roveshatë, gjunjë, gjoks, gola nga largësia, nga ndërprerje, goditje të lira, e tjerë e tjerë. Pra, nga çfarëdo lloj pozite në fushë, sidomos nga brendia e zonës së rreptësisë, e me çdo pjesë të lejuar të trupit, shënoja.

A ishte e mirë, ajo kohë? Epo, ishte derisa nuk kishim detyrime të tjera.

Për të shkuar më tej, nëse më pyet, djalosh, pse luaja futboll? Edhe pse nuk bëhen pyetje të tilla, për këtë kohë. Megjithatë, kam një përgjigje koncize: luaja sepse nuk më pëlqente të luaja valle. Atë kohë, vallet, sidomos tallavatë sapo kishin filluar të marrin hovin, ndërsa në kohë të tashme, të vazhdueshme, gjithnjë e më shpesh, tallavatë luhen me të madhe kudo, në çdo pjesë të nën qiellit, nënçatisë sonë, dhe me banalitetin në përbërje, pa fare larmie, bëhen sikur të përjetshme. Duke u përpjekur, mësoja e mësoja për futbollin që nga mosha tetë vjeçare. Gjithsesi, s’i kisha punët çdoherë në vijë. Se, s’mësohen gjërat për një ditë. Një gjuajte e mirë vjen nga saktësia jo nga shpejtësia, djalosh…ashtu vetë e ushtron Rrokin boksierin, mjeshtri Miki, në filmin e largët me të njëjtin emër, Rroki. Edhe pse isha dhe shumë i shpejtë, kisha një teknikë thuajse të përsosur. Dhe kur i bija bam bam topit me një të majtë të saktë, rrjeti vendosur në shtyllat e golit (portës), ku  merimanga bën folenë, siç shpesh përmendet, dridhej për gjatë kohë përgjatë ndeshjes. Do thuash, a është shpikur futbolli si eksperiment social. Në fillim, ndofta po. Sot, më nuk është ashtu. Futbolli është bërë aq masiv, e i popullarizuar, saqë, si sport, si lojë, ka kaluar në industri të showbizit (argëtimit). S’i thuhet së koti gjëja më e mira, më e bukura dytësore në glob. Po deshe, ti futem rrënjësisht shpjegimit, ta them se, siç kam ri dëgjuar, e siç e përshkruan Borgesi në tregimin Të jesh është të perceptosh, se ndeshja e fundit e vërtetë është luajtur më 24 qershor të vitit 1937, ku e pranon si fakt futbollin, meqë nuk e pëlqente dhe e quante marrëzi popullore për shkak të anglezëve. Ashtu, i rrumbullt  mund të them, se, edhe ne, në kohën tonë, luanim, me pasion atë futboll të vërtetë. Edhe pse shumë më herët nga koha jonë, gjithçka në futboll ishte transferuar në para, emocion, shfaqje e argëtim. Më pastaj, siç e di, ka çmim të lartë dhe paguhet shumë…sidomos në këtë kohë, ka kapur majat.

Ja goditja e parë. Shtylla, djalosh. Pa fat, në këtë rast. Ishte një gjuajtje më këmbë plotë, por, jo me themel, e saktë.

Prit pak. Të ha një mollë të vockël, dhe do vazhdoj;… ja dhe një kros i mirë në brendi të zonës, kërcim në lartësi, gjuajtje me kokë drejt këndit, devijoi topin me grusht, portieri i shkathtë;

Në vijim, djalosh, sa për vëmendje, ka ndodhur të huq penalti, kur pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha nga tifozët dhe entuziastët, për të fituar ndeshje më vendimtare,… dhe kam qenë i urryer për një kohë mesatarisht të gjatë. Dhe nuk i doja ata njerëz që më kthenin kokën mënjanë. Por ajo, mërzi, ai zemërim, tek unë, zgjaste për shumë pak kohë, njëjtë sikur na bëheshe hileja, dhe kalonte shpejt, në fakt e tejkaloja me finesë, për të qenë më i përpiktë. Nga se, kur je i zemëruar, djalosh, nuk duhet të merren vendime të rëndësishme. S’ka gjë nga kjo. Është rregulla numër një, në jetë. Sepse tek ne, zënkat, përplasjet, ndodhin duke ngrënë bukë, e ku më në një aspekt tjetër. Po ta vë dhe këtë në dukje. Kështu, që atje e që këtu, tari përsëris, s’ka gjë nga kjo. Ashtu e humbasim, vetëbesimin, jetën tonë.

Hë, u ndjeve keq?! Po, ç’pate që u ndjeve keq? Ah, mos e pate për qeverinë e për partinë. Të them, mos e zër në gojë. Ri rehat si qeveria si partia, s’ishte budallaqe, por ishte hajdute dhe e shthurur. Politikanët e korruptuar e kontrabandist, milioner, do duhet ti detyrojmë t’ua kthejnë paratë njerëzve dhe për të gjitha të bëmat shumë vjeçare të përgjigjen. Të tjerët që do pasojnë, le ta mendojnë. Hitleri, djalosh, se donte as qiellin as rrugën. Prandaj, aq sa ishte i çmendur, aq ishte dhe budalla. Më pas, për një kohë edhe pasuesit e Marksit u zhdukën. Edhe ato, pak që duken, që po tentojnë të ngrenë kokë, më shumë janë Leninist se sa Marksist, dhe janë në margjina.  Kështu, që mos e humb frymën. Merr, lirshëm frymë. Pa asnjë dert. Më ka ardhur dhe mua në majë të hundës. Dalja në zgjedhje, nuk është cirk, djalosh, as tifozllëk ndeshjeje futbolli. Mbaje mend këtë. Pas kësaj, s’ka patriotizëm të spërkatur, e të qullur. Unë si unë, e kam lënë shumë pas, atë lloj mashtrimi, nuk mund të më arrijë. Se lejoj! Cili do, le ta mbajë, për kot e kot, i qoftë, duke shitur dëngla, edhe atë me okë. Pastaj kur na flisnin për zhbllokime, shumicë badinteri, për ballanser e për ndryshime kushtetuese, ku e di se çka. Po s’bëhen ato punë me cuba e kusar, me analfabetë, djalosh…nuk bëhen.

Ndonjëherë,, djalosh, ndihem i pa aftë, për të folur e këshilluar, por ëndrrat duhet ndjekur, jo për ti ëndërruar, por për ti realizuar. Shoqëria nënshtruese ndaj pushtetit dhe kultit të individit, privon liritë e njeriut. Gjersa, këtu burracakëria është kthyer në një ligj jetese, demokracia është të gëlltisësh gurë, djalosh.  Platoni, në një rast thotë, se nuk duhet të nderoni burrat më shumë se të vërtetën. Vlera më e madhe e njeriut qëndron në origjinalitetin dhe individualitetin e tij, shpërthen Gëteja.Kurse, Sartri shkruan se, nuk harrohet aq lehtë virtyti kur je mësuar më të. Ose Remarku se, ndërgjegjja zakonisht nuk i shqetëson ata që janë fajtorë. Zemrën e kam plot gëzim, djalosh, kur për një çast, duke u menduar, gjej brendinë e këtyre pohimeve, me një të rënë të fjalës.

Do thuash, kush jam unë të jap këshilla, e leksione, djalosh. Një zemër e mirë është më e mirë se një mijë fytyra, porosit Shekspiri. Prandaj, mundohem të këshilloj, edhe atë me zemër e jo me fytyrë. A jam për këshilla e leksione, as vetë nuk e di. Mirëpo, detyra ime, si e një njeriu të intelektit, është të të këshilloj dhe të të informoj. Sepse ti ke shumë pak informacione, në këtë ecje e qëndrim. Ndërkaq, unë disponoj me një sërë të dhënash dhe informacionesh që as vetë s’mund ti mbajë në mend të gjitha.

Në këtë kryeradhë, Ji vetvetja, të them, djalosh. Shoqëria ka nevojë për ty. Dinjiteti dhe integriteti nuk shiten. Ndjehesha keq, kur të shihja në krah të kontrabandistëve, stërzgjatur me pushtet.Ç’ ndjesi të jepte ajo?!  Ti dhe shumë si ti, duhet në çdo kohë, në çdo situatë të jeni prijësit, avangarda e ndryshimeve, jo instrument i pushteteve politike patokrate. S’duhet assesi të shpërfillësh mendimin tënd, për do lugë akullore dhe llafe rapsodi. Dhe  s’ka lodhje. Ndërsa fillon të ecësh rrugës, rruga shfaqet. Kështu, ka recituar me zë të lartë, Rumi.

Për atë, aty ku kemi mbetur djalosh,…(, e pe, një rast shumë të mirë, me një gjuajtje të prerë dhe të shpejtë përreth golit, kërkonte saktësi,… dhe përqendrohu mirë e mirë, nguliti sytë në ndeshje, derisa flas, nuk jemi buzë lumit);…  për të hedhur vështrimin e për të kthyer këtë faqe përmbys, sido që të merret, vërtet mendon se me farisenj, bërllok politik, e me individ të nëntokës, të inkriminuar e korruptuar. abuzuesepërvetësuespushteti, do zgjidhej diçka. S’ka gjë prej kësaj, djalosh, as integrim e as kurrgjë, dihej kjo punë si dielli. Shih vetëm përditshmërinë e jetesës, dhe ja rezultati. 100 me zero, disfatë, ndofta edhe më e thellë. Njerëzit janë akoma në halle. Të zvarritur këmbadoras e kryeshtruar, shpresëhumbur. E, hallet nuk mund t’ua zgjedhin llafazanët e pa aftë e të korruptuar apo patriot të spërkatur. Ne, si shoqëri, në këtë vend, kemi nevojë si kurdoherë për një ringjallje kombëtare dinjitarësh. Jo të atyre si më lartë, pa moral e ambicie të shfrenuar, të zhveshur nga integriteti njerëzor e politik. Kemi nevojë rrënjësisht për të tjerë njerëz, pikë për pikë për njerëz të mirëfilltë. Që do të thotë, për ata njerëzqë do sjellin mirëqenie, lulëzim dhe përparim, e sundim të së drejtës,  të tillë që perspektivën nuk e shohin përmes skenarit të ngopur me tifozllëk zuzarësh e batakçinjsh,(këtij filmi duhet ti vijë fundi më, në çdo nivel, në çdo instancë). Pra, djalosh, vetëm njerëzit e përgjegjshëm, të aftë e të edukuar, të ditur me kaptina e kaptina, e të ngritur mund të na drejtojnë.

Kështu , që t’i biem shkurt, çiltër si dita, zgjedhjet përfunduan. Valenca elektorale ishte e pritshme. Punë e mbaruar. Atëherë, ti rreken, përvishen punës. Nëse, jo, fundin e kanë dhe këta afër. Pushteti në demokraci është, dhe gjithnjë, duhet të jetë bosh, djalosh.

Talesi, mati, piramidat, sipas hijeve të tyre. Virgjili, ia lexonte, Augustit, Eneidën…

…Shumë mirë. Je një djalosh i shkëlqyer. E di që edhe ti di shumë. Aspak nuk je zero. As që je i trashë nga mendja, si një kaqol. Vetëm ti dëgjo. Pas kësaj më ke borxh një nder. U morëm vesh. Nuk jam edhe aq i lodhur, siç ta kam përmendur nganjëherë, edhe pse nuk jam më i ri. Por në moshë të vjetër ende nuk jam. Këtu politikanët janë si kloroformi*, të papërgjegjshëm, djalosh. Për më shumë, nuk po të them se çka mendoj. Përse për asgjë të të nxeh trurin më. Markezi, ka hartuar veprën, novelën, Kolonelit s’ka kush ti shkruaj, të cilën e ka konsideruar si librin e tij më të mirë, ashtu që një herë kishte deklaruar se duhej të shkruante romanin Njëqind vjet vetmi, në mënyrë që njerëzit, lexuesit, pas një vepre të tillë, të interesoheshin më thellë për  punën e tij dhe të zbulonin novelën. Të preferoj ta lexosh dhe do mësosh se sa e rëndë, e vështirë dhe komplekse ka qenë situata me cinikët dhe lëkurëkuqtë. Përderisa, sa i përket librave, ato, na ndihmojnë ti kuptojmë tjerët, dhe të mësojmë, që, tjerët, t‘na kuptojnë neve. Kështu që, e vërteta del gjithmonë në shesh, djalosh. Të gjithë këto po t’i nënvizoj në mënyrë të veçantë. E, në këtë lloj qëndrimi, po të them mos e prish qefin. As mos e përfshi më veten, njëfarësoj, disi, si një dru i thatë në pyll. Si një hardhucë, duke skuqur hundët. Kërko lirinë, më shumë se barazinë. Mos ri si ashka mbi ujë. Ti pretendoje se iu besoje,.. por a e di ti çka ishin ata? Nuk mundet, përnjëherë, edhe avokat edhe djall, edhe kinse “mirëbërës” edhe pa asnjë ndjenjë, më pas, duke mishëruar keq bërjen, duke u sjellë, si me thënë, si çnjerëzor.

E admiroj zellin tënd. Dhe kam tentuar të të bind, të përfitosh nga shembulli i paraqitjes, vetëm se duhet të mos ngurrosh të rezistosh, të jesh mendjemprehtë dhe i patrembur, e, të mos mashtrohesh më me sheqerka.

Shih, çfarë fushe e shkëlqyer. O, ja një pasim i bukur, driblim i mrekullueshëm, goditje nga e djathta, dhe ja goli. Gooooool. Sa kënaqësi, djalosh. Shfryrje, emocioni i paparë. Fitore e padiskutuar. Një ndeshje, një lojë e shkëlqyer. Pak a shumë kjo është e gjithë jeta jonë, djalosh.

Tani, dëgjomë. Urdhëro! E ke një biletë, si dhuratë për një ndeshje të madhe. Koha e shfaqjes, fillon, menjëherë. Dua të bëhesh i dobishëm, pikërisht, pas këtij çasti, jo më vonë.

Nëse të duhet gjë tjetër, ma thuaj. Kaq, me kaq do e përfundoj.

Duhet të jesh i zoti për këtë punë. Siç thuhet e shkruhet në bibël, nuk do të mund të kesh një mundësi të dytë. Por, do korrësh, do arrish sukses, vetëm ji rival në veprim e punë. S’ka më hatër e favore.  S’di  çfarë të mendoj e të të këshilloj, më.

Ndaj, dëgjomë djalosh, ki kujdes.

*Kloroformi: është, lëng i trashë i paqëndrueshëm, pa ngjyrë, me erë të fortë, ndonëse shumë i dëmshëm u përdor në mjekësi, përkatësisht në kirurgji, që nga zbulimi në shekullin 19 deri në mes të shekullit 20 si anestetik i fuqishëm, euforik dhe qetësues.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button