Caktohet masa e paraburgimit për kirurgun e Manastirit të dyshuar për ryshfet

Kirurgu i Manastirit që u kap me ryshfet është në paraburgim. Gjykata e pranoi propozimin e prokurorisë dhe i caktoi këtë masë për shkak të rrezikut të arratisjes. Mjeku 64-vjeçar në Spitalin Klinik të Manastirit dyshohet se, pas një operacioni të tëmthit, kërkoi dhe mori 150 euro ryshfet nga djali i pacientes, që siç kishte thënë, të “shpërblehej”. Pasi mori tre kartëmonedha të shënuara nga 50 euro, policia e kapi në flagrancë. Mjeku, i cili është pranë pensionit, është shkarkuar edhe nga funksioni drejtues në spital, dhe gjatë procedurës nuk lejohet të shkojë në punë.
Ministri Arben Taravari konfirmon se edhe në ministri kanë marrë denoncime se mjekët marrin para nga pacientët. Sipas tij, ryshfeti në shëndetësi është një fakt i pamohueshëm. Taravari u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të kërkimit të ryshfetit.
“Qytetarët të raportojnë raste të tilla në Ministrinë e Shëndetësisë, në polici dhe te drejtorët e klinikave. Për Bitolën kam informacione të sakta, drejtoresha disa ditë më parë u njoftua nga unë për disa ankesa ndaj një mjeku. Tani nuk do të doja të përmend emra. Megjithatë, aksione të tilla sigurisht që do të vazhdojnë”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Sa i përket informatave se disa kirurgë keqpërdorin shërbimin shtesë dhe, në vend që të operojnë pacientë rëndë të sëmurë pas disa ditësh, duke pretenduar se duhet të presin gjatë, u ofrojnë opsionin të paguajnë disa mijëra euro për t’u futur më shpejt në sallën e operacionit, Taravari konfirmoi se edhe për këto raste ka pasur denoncime në ministri.
“Nuk u konstatua ndonjë shkelje, domethënë ishte një operacion i rregullt. Ndonjëherë ka denoncime dhe ngjarje që nuk qëndrojnë. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm – aty ku konstatohen keqpërdorime, duhet të ndërmerren masa”, shtoi Taravari.
Edhe pse sipas shumë studimeve shëndetësia është ndër sektorët më të korruptuar, numri i rasteve të raportuara për ryshfet nga punonjësit shëndetësorë është shumë i vogël, dhe edhe më pak ndonjë personel mjekësor përfundon në burg për kërkim parash nga pacientët.