Britania dislokon sistem raketash antidron me kosto të ulët në Lindjen e Mesme

Britania ka vendosur një sistem të ri raketor me kosto të ulët në Lindjen e Mesme, në një lëvizje që synon forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve me dronë që synojnë “forcat, qytetarët dhe partnerët rajonalë të Mbretërisë së Bashkuar”, transmeton Anadolu.

Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë të shtunën se Sistemi i Avancuar i Armëve Precize për Shkatërrim (APKWS) tashmë është instaluar në avionët luftarakë RAF Typhoon që operojnë në rajon, duke u mundësuar avionëve të shkatërrojnë dronë dhe kërcënime të tjera “me një pjesë të kostos” së raketave që përdoren aktualisht.

“Sistemi tashmë është vendosur në operacione në Lindjen e Mesme me misione të kryera nga avionët luftarakë RAF Typhoon të Skuadronit 9, si pjesë e misioneve për të mbrojtur popullin britanik, interesat dhe partnerët nga kërcënimet”, thuhet në deklaratë.

Luke Pollard, ministri për gatishmërinë dhe industrinë e mbrojtjes, ka thënë: “Ky ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer me industrinë për të testuar dhe vendosur këtë sistem brenda pak muajsh, gjë që do ta ndihmojë RAF-in të rrëzojë shumë më tepër dronë me një kosto shumë më të ulët”.

“Flota jonë Typhoon është shtylla kryesore e mbrojtjes ajrore të Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s, me RAF-in që mbron krahun lindor të Evropës nga inkursionet e dronëve rusë dhe mbron partnerët tanë në gjithë Lindjen e Mesme”, ka shtuar ai.

APKWS përdor një sistem shënjimi me lazer për t’i shndërruar raketat pa drejtim në armë precize të drejtuara, të afta për të goditur dronë dhe kërcënime të tjera ajrore.

Ministria tha se zhvillimi i sistemeve më të lira të mbrojtjes ajrore do të ofrojë një përgjigje më të qëndrueshme ndaj përdorimit në rritje të dronëve në konfliktet moderne.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button