Bozhinovska: Duam të jemi korridor energjetik që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, mori pjesë sot në edicionin e gjashtë të “Thessaloniki Metropolitan Summit”, të organizuar nga “The Economist”, ku si mysafire nderi dhe folëse kryesore iu drejtua përfaqësuesve të lartë të sektorit politik, ekonomik dhe të biznesit nga Greqia, rajoni dhe Evropa.

Samiti i këtij viti, me titullin “Axis 2030: Fuqizimi i lidhshmërisë, çlirimi i rritjes për Evropën Juglindore”, iu kushtua së ardhmes së ndërlidhjes, zhvillimit ekonomik dhe sfidave gjeopolitike dhe energjetike me të cilat përballet Evropa Juglindore.

Në fjalimin e saj, Bozhinovska theksoi se siguria energjetike sot është e lidhur ngushtë me diversifikimin e burimeve, infrastrukturën ndërkufitare dhe lidhshmërinë rajonale.

“Pavarësia energjetike nënkupton sovranitet shtetëror. Sot nuk mjafton vetëm të kemi energji – duhet të dimë nga mund të vijë, nëpër cilat rrugë mund të arrijë dhe nëse ato rrugë janë të sigurta, të diversifikuara dhe të ndërlidhura mes tyre. Varësia nga një furnizues i vetëm na bën të cenueshëm. Prandaj, diversifikimi dhe ndërlidhja ndërkufitare nuk janë më çështje zgjedhjeje, por çështje e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik”, tha Bozhinovska.

Tema e panelit ishte Korridori Vertikal i Gazit, ndërsa pjesëmarrës të tjerë ishin Joshua Volz, i dërguari special për integrimin global të energjisë në Departamentin amerikan të Energjisë; Stavros Papastavrou, ministër i Mjedisit dhe Energjisë i Greqisë; Iva Petrova, ministre e Energjisë e Bullgarisë; Gianfranco Amoroso, drejtor ekzekutiv i “Enaon” dhe drejtor kryesor për operacionet ndërkombëtare në “Italgas”; si dhe Artem Rybchenko, zëvendësministër i Rindërtimit, Infrastrukturës dhe Transportit të Ukrainës.

Bozhinovska vlerësoi se Korridori Vertikal është një nga projektet kyçe për arkitekturën e re energjetike dhe gjeostrategjike të Evropës Juglindore.

“Korridori Vertikal i Energjisë nuk është vetëm infrastrukturë e gazsjellësit. Ai është arkitektura e re e sigurisë, ekonomisë dhe gjeostrategjisë së Evropës Juglindore”, theksoi ministrja.

Interkonektori me Greqinë, dalje drejt burimeve alternative

Bozhinovska theksoi se Maqedonia e Veriut, me anëtarësimin zyrtar në Korridorin Vertikal të Gazit, po ndërmerr një hap historik drejt ndërprerjes së varësisë afatgjatë nga një rrugë e vetme e furnizimit me gaz dhe hapjes ndaj burimeve dhe tregjeve të reja.

“Ne nuk duam të jemi vetëm vëzhgues të këtyre proceseve, por partner aktiv. Pas tri dekadash po i japim fund varësisë së plotë nga vetëm një rrugë e gazit dhe po ndërtojmë infrastrukturë që do ta vendosë Maqedoninë në hartën e re energjetike të Evropës”, deklaroi ajo.

Sipas saj, ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë po zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar. Interkonektori do të ketë gjatësi totale prej 123 kilometrash, prej të cilave rreth 68 kilometra në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027.

Me lidhjen e re të gazit, vendi do të ketë qasje të drejtpërdrejtë në korridorin jugor të gazit dhe në mundësitë e furnizimit përmes terminaleve LNG në Revithoussa dhe Aleksandrupolis.

“Ky nuk është vetëm një projekt për ne. Ky është qasje në burime alternative të gazit për të gjithë rajonin. Me interkonektorin rrisim sigurinë e furnizimit, krijojmë kushte për konkurrencë më të madhe dhe forcojmë qëndrueshmërinë energjetike rajonale”, tha Bozhinovska.

Nga pikë fundore në korridor tranzit energjetik

Ministrja theksoi edhe rëndësinë strategjike të interkonektorit me Serbinë, përmes të cilit Maqedonia e Veriut do të krijojë një lidhje të re të gazit drejt veriut.

“Vizioni ynë nuk ndalet në kufirin me Greqinë. Ne vazhdojmë me interkonektorin me Serbinë, me çka krijojmë një degë të Ballkanit Perëndimor që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore”, tha ajo.

Sipas Bozhinovskës, zhvillimi paralel i interkonektorëve të gazit me Greqinë dhe Serbinë do ta transformojë pozitën e vendit, nga pikë fundore e sistemit të gazit në një korridor potencial rajonal tranzit energjetik.

“Ne po e transformojmë rajonin nga një pikë fundore pasive në një korridor aktiv tranzit. Vendi ynë ka ambicie të jetë lidhja energjetike mes jugut dhe Evropës Qendrore dhe Lindore”, theksoi ministrja.

Ajo shtoi se investimet në infrastrukturën e gazit janë pjesë e një tranzicioni më të gjerë energjetik dhe se interkonektorët e rinj duhet të jenë të përgatitur për teknologjitë e së ardhmes.

“Vizioni ynë shkon përtej burimeve tradicionale të energjisë. Arkitektura që po ndërtojmë sot duhet të jetë mjaft fleksibile për të mbështetur sistemet energjetike të së nesërmes”, tha Bozhinovska.

Në këtë drejtim, ajo theksoi se infrastruktura e re po zhvillohet edhe me perspektivën e transportit të ardhshëm të hidrogjenit dhe në përputhje me objektivat afatgjata evropiane për dekarbonizim.

Përveç infrastrukturës së gazit, Bozhinovska veçoi edhe investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, veçanërisht energjinë diellore dhe të erës, si dhe nevojën për modernizimin dhe forcimin e rrjeteve elektrike dhe interkoneksioneve ndërkufitare.

“Tranzicioni energjetik nuk është vetëm ndryshim i burimeve energjetike. Ai është ndërtimi i një sistemi të ri – me më shumë burime, më shumë lidhje, më shumë fleksibilitet dhe qëndrueshmëri më të madhe”, tha ajo.

Në sektorin e energjisë elektrike, ministrja përmendi forcimin e mëtejshëm të lidhshmërisë rajonale përmes interkonektorit Manastir–Elbasan, me të cilin përmbyllet Korridori 8, si dhe përmes përmirësimit të lidhjes ekzistuese me Greqinë dhe zhvillimit të interkonektorit të ri me Bullgarinë.

“Asnjë vend në Evropën Juglindore nuk mund ta garantojë i vetëm sigurinë e tij energjetike. Prandaj na nevojitet solidaritet rajonal, ndërlidhje infrastrukturore dhe një treg i përbashkët energjetik”, deklaroi Bozhinovska.

Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vizionit evropian për një sistem energjetik të ndërlidhur, konkurrues dhe të qëndrueshëm.

“Jemi të gatshëm për punë, jemi të gatshëm për investime dhe jemi të gatshëm të jemi një shtyllë e sigurt e qëndrueshmërisë energjetike të Evropës Juglindore”, përfundoi Bozhinovska.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button