Bojkoti i Eurovizionit: Sanchez thotë se “heshtja nuk është një opsion” përballë “luftës së paligjshme dhe gjenocidit”

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, mbrojti vendimin e vendit të tij për të mos marrë pjesë në Konkursin e Këngës Eurovizion këtë vit, duke thënë se Spanja nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë veprimeve të Izraelit në Gaza dhe Liban, transmeton Anadolu.
Në një mesazh me video të shpërndarë në platformën sociale amerikane X, Sanchez tha se mungesa e Spanjës në këtë garë pasqyron angazhimin e saj për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Ky vit do të jetë ndryshe”, tha Sanchez, duke kujtuar vendimin e transmetuesit publik spanjoll RTVE për të mos marrë pjesë, të cilin e përshkroi si “si të qëndrueshëm, ashtu edhe të domosdoshëm: për t’u ngritur kundër padrejtësisë”.
“Prandaj Spanja nuk po merr pjesë në Konkursin e Këngës Eurovizion, sepse angazhimi ynë për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare shprehet edhe përmes kulturës”, tha ai.
Kryeministri e krahasoi këtë vendim me përjashtimin e Rusisë nga gara pas luftës së saj në Ukrainë.
“Kur Rusia pushtoi Ukrainën, ajo u përjashtua nga gara dhe Spanja e mbështeti atë vendim. Të njëjtat parime duhet të zbatohen edhe kur flasim për Izraelin”, tha ai. “Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, shtoi Sanchez.
Konkursi i vitit 2026 nisi më 12 maj dhe finalja e madhe do të mbahet të shtunën.
“Heshtja nuk është opsion”
Sanchez tha se Spanja historikisht e ka mbështetur Eurovisionin sepse gara është krijuar për të “promovuar paqen”, “na bashkuar” dhe “festuar diversitetin e kontinentit evropian”.
“Por përballë luftës së paligjshme dhe gjenocidit, heshtja nuk është opsion”, tha ai.
“Dhe nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj asaj që vazhdon të ndodhë në Gaza dhe Liban. Është çështje konsistence, përgjegjësie dhe njerëzie”, shtoi ai.
Kryeministri spanjoll përmendi gjithashtu qëndrimin e disa vendeve të tjera, përfshirë Irlandën, Islandën, Holandën dhe Slloveninë, të cilat nuk po marrin pjesë në edicionin e këtij viti.
“Këtë vit, pra, do të jetë ndryshe — po, nuk do të jemi në Vjenë, por do ta bëjmë këtë me bindjen se jemi në anën e duhur të historisë”, tha Sanchez.



