Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe islame pas Fitër Bajramit.
Kurban Bajrami është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes. Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.
Sipas fesë islame, riti i faljes së Kurban Bajramit konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Karakteristikë e kësaj feste është edhe therrja e kurbanit, i cili ka simbolikën e afrimit ndaj Zotit. Zakonin e kryejnë kushdo që ka mundësi, dhe ata që therrin kurban, pastaj ua shpërndajnë mishin të varfërve, fqinjëve dhe të afërmve.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që flijohet në emër të Allahut të. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.
Kurban Bajrami zgjat tri ditë. Kjo festë kurorëzon Haxhin, i cili konsiderohet si shtylla e pestë i Islamit.


