Bekim Sali në diplomimin e studentëve: Arsimi është investimi më i sigurt për të ardhmen

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Nënë Tereza”, ku uroi të diplomuarit për suksesin e arritur dhe theksoi rëndësinë e arsimit për zhvillimin e shoqërisë.
Përmes një njoftimi, Sali e cilësoi ceremoninë si një moment të veçantë që kurorëzon vite të tëra përkushtimi, sakrifice dhe pune nga ana e studentëve.
“Sot pata kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit ‘Nënë Terezë’, një moment i veçantë që kurorëzon disa vite përkushtim, sakrificë dhe punë të palodhshme”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se arsimi mbetet investimi më i sigurt për të ardhmen, duke vlerësuar rolin e të rinjve në zhvillimin e vendit.
“Arsimi mbetet investimi më i sigurt për të ardhmen e çdo shoqërie, ndërsa të rinjtë, me dijen, energjinë dhe kreativitetin e tyre, janë forca që e çon vendin përpara”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë.
Sali nënvizoi se në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, mësimi dhe zhvillimi profesional nuk duhet të ndalen me marrjen e diplomës, por duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës.
“Në një botë që ndryshon me shpejtësi, mësimi dhe zhvillimi profesional duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës”, tha ai.
Në fund, Sali uroi të gjithë të diplomuarit për arritjen e tyre, duke shprehur bindjen se ata do të jenë shembull i dijes, integritetit dhe përgjegjësisë në shoqëri.
“Urime të gjithë të diplomuarve për këtë sukses të merituar. Uroj që në rrugëtimin tuaj të ardhshëm të bëheni shembull i dijes, integritetit dhe përgjegjësisë në shoqërinë tonë”, deklaroi Sali.



