Behar Emini: Fondi për Sigurimin e Depozitave memorandum bashkëpunimi me FON-in
Memorandum bashkëpunimi
Në kuadër të angazhimeve tona për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë e depozitave, Fondi për Sigurimin e Depozitave (FOD) dhe Universiteti Amerikan i Evropës – FON (AUE-FON) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi.
Ky dokument bashkëpunimi shënon një hap të rëndësishëm për të ofruar njohuri praktike dhe teorike mbi rëndësinë e skemës së sigurimit të depozitave dhe rolin e saj në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Memorandumi përcakton protokollet për organizimin e leksioneve të hapura për studentët e AUE-FON në fushën e sigurimit të depozitave, me fokus në ciklet bachelor dhe master. Gjithashtu, në përputhje me kapacitetet tona, do të ofrojmë mundësi praktike për studentët e këtij universiteti që të zhvillojnë praktikën profesionale pranë FOD.
Ky bashkëpunim përforcon strategjinë tonë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me institucionet arsimore dhe për të përgatitur një brez të ri profesionistësh që do të kontribuojnë në zhvillimin e sistemit financiar dhe bankar të vendit.