BE: Rusia, ndërhyrje të pashembullt në procesin zgjedhor të Moldavisë

Një referendum në Moldavi që synonte të përcaktonte nëse shtetasit e saj duan ta përfshijnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian në Kushtetutën e vendit, përfundoi me rezultat shumë të ngushtë në favor të integrimit evropian. Sipas autoriteteve moldave dhe Komisionit Evropian, referendumi që u mbajt krahas zgjedhjeve presidenciale, nxorri në pah një ndërhyrje të pashembullt nga Rusia, e cila u akuzua se bleu vota. Për këtë arsye, sipas tyre, rezultati ndonëse në favor të kandidatëve pro evropianë, ishte shumë i ngushtë. Rusia mohoi akuzat dhe tha se procesi zgjedhor në Moldavi nuk ishte i lirë.

Me një dallim prej më pak se 1 %, moldavët votuan pro integrimit evropian në referendumin që u mbajt krahas zgjedhjeve presidenciale. Pyetja e referendumit ishte nëse moldavët duan të shtojnë në Kushtetutën e vendit synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Sipas të dhënave paraprake 50,16% e votuesve që morën pjesë në referendum kanë votuar PO dhe 49,84% janë përgjigjur JO”, njoftoi Angelica Caraman, anëtare e Komisionit Qendror Zgjedhor të Moldavisë.

Presidentja Maia Sandu tha se ky proces zgjedhor dhe ai për President, raundin e parë të të cilit ajo e fitoi, u dëmtuan nga një ndërhyrje e jashtme ‘e paprecedentë’.

“Objektivi i tyre për blerjen e 300 mijë votave dhe pagesat për 150 mijë njerëz për të votuar tregon se ne duhet të shikojmë nga afër se ku janë bërë gabime dhe të mësojmë nga ky sulm ndaj sovranitetit tonë. Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë nuk arriti të bëjë sa duhet për të parandaluar vjedhjen e votes. Ne duhet të marrim masa për të korrigjuar atë që kemi bërë gabim”, tha Presidentja Sandu.

Zonja Sandu fitoi raundin e parë në zgjedhjet presidenciale, që gjithashtu u mbajtën të dielën.

Ajo mori 42% të votave, ndërsa rivali i saj kryesor, ish-prokurori i përgjithshëm, Alexandr Stoianoglo, fitoi 26%, një përqindje më e lartë se sa kishin parashikuar sondazhet.

Nga viti 2020 kur zonja Sandu u zgjodh për herë të parë, Moldavia është afruar me Bashkimin Evropian, ndërsa ka bërë përpjekje të largohet nga ndikimi i Moskës. Zoti Stoianoglo ka thënë nëse fiton, ai do të udhëheqë një politikë të jashtme ‘të balancuar’ që përfshin lidhje me BE-në, Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën

Moldavia, një vend i vogël midis anëtarit të BE-së, Rumanisë dhe Ukrainës, dëshiron të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030.

Bashkimi Evropian u bëri jehonë deklaratave të zonjës Sandu se të dy votimet e së dielës u mbajtën ‘nën ndërhyrje të pashembullt nga Rusia’.

“Kjo është një përpjekje e vazhdueshme nga Rusia dhe grupet që mbështet ajo, jo vetëm në Moldavi, por edhe kundër vendeve tona. Arsyeja pse ndërhyrjet ruse ndonjëherë mund të jenë të suksesshme është se ata nuk kanë kufij në veprimet e tyre. Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët tanë, në çdo gjë që bëjmë, respektojmë disa parime, respektojmë ligjet, por Rusia dhe grupet e saj nuk e bëjnë këtë”, tha Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Rusia mohoi akuzat për ndërhyrje të hënën, ndërsa Kremlini i cilësoi zgjedhjet në Moldavi si ‘jo të lira’.

Përpara zgjedhjeve, autoritetet moldave thanë se Ilan Shor, manjat i arratisur që jeton në Rusi, kishte bërë përpjekje për të ndërhyrë në referendum dhe zgjedhje. Autoritetet thanë se kishin hequr informacionet në internet që mbanin dezinformata dhe gjithashtu kishin zbuluar një program në Rusi për të trajnuar moldavët për të marrë pjesë në trazira masive.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button