BE-ja rikonfirmon përkrahjen për Gjykatën Speciale

Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara në Hagë, por nuk ka komentuar nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit që rregullon punën e tyre. Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka thënë se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë, ndërsa ka theksuar se mbështetja e BE-së për Specialen do të vazhdojë.

Në Bashkimin Evropian kanë refuzuar ta komentojnë nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, tek kanë shprehur mbështetjen për Gjykatën me seli në Hagë.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se nuk komentojnë mbi njoftime e plane, kur është pyetur për nismën e Partisë Demokratike që synon kufizimin e mandatit të Speciales në Hagë.

“Puna e tyre është e rëndësishme për të siguruar llogaridhënie, për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe, siç kam theksuar edhe më parë këtu, personat e dënuar me aktgjykimin e shkallës së parë, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë. Aktgjykimi do të shqyrtohet nga gjyqtarë të pavarur të apelit, në një panel të veçantë të apelit të Dhomave të Specializuara. Por, mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Ndërkohë Wigand nuk ka shprehur vërejtje për punën e Speciales.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po ndajnë drejtësi duke zhvilluar procedura të drejta, të paanshme dhe të pavarura bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe e theksoj se sigurisht personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë çdo vendim”, ka thënë ai.

Wigand nuk ka dashur të komentojë edhe në lidhje me pyetjen nëse Prokuroria ka plotësuar mandatin për t’i ndjekur të gjitha krimet e luftës të pretenduara gjatë periudhës 1998/’99.

Të hënën në PDK kanë njoftuar se kanë nisur procedurat për ndryshimin e legjislacionit që do t’ua mundësonte Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – të dënuar nga shkalla e parë me 81 vjet burgim – që vazhdimin e procesit gjyqësor ta kryejnë në Kosovë.

Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, kurse Rexhep Selimi me 13.

Bashkimi Evropian është një ndër financuesit kryesor të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit me seli në Hagë.

Kosova këtë institucion e ka formuar pas ndryshimeve ligjore e kushtetuese në vitin 2015, për të hetuar lidhur me pretendimet se UÇK-ja është përfshirë në trafikim organesh njerëzore, të ngritura në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button