BE-ja do të prezantojë kufirin e përbashkët të moshës për mediat sociale

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën planet për të kufizuar aksesin e fëmijëve në mediat sociale, duke thënë se BE-ja do të propozojë një “Akt për Fëmijë” të ri që synon mbrojtjen e të miturve nga dëmet në internet, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, von der Leyen tha se komisioni do të propozojë legjislacionin të enjten, duke futur nivele të ndryshme mbrojtjeje bazuar në moshën e fëmijëve.

“Nuk lejohen media sociale nën moshën 13-vjeç. Asnjë llogari personale nën moshën 15-vjeç”, tha ajo.

Sipas qasjes së propozuar, fëmijët e moshës 13 deri në 15-vjeç do të lejohen të përdorin vetëm “mini llogari” të kufizuara të krijuara dhe të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe një afat kohor prej një ore në ditë.

Për ata të moshës 15 deri në 18-vjeç, platformat e mediave sociale do të detyrohen të zbatojnë masa “dizajni të sigurt”, tha ajo.

Von der Leyen tha se iniciativa u nxit nga shqetësimet mbi ndikimin e mediave sociale dhe dizajnit digjital që shkakton varësi tek fëmijët, duke përfshirë humbjen e gjumit, ankthin, ngacmimin dhe vetëdëmtimin.

Ajo tha gjithashtu se BE-ja do të kërkojë të zhvendosë përgjegjësinë drejt platformave teknologjike.

“Po e përmbysim barrën e provës. Tani, platformat do të duhet të na vërtetojnë se janë të sigurta”, tha von der Leyen, duke shtuar se çështja nuk ka të bëjë thjesht me të miturit që hyjnë në mediat sociale, por me kushtet në të cilat platformat e mediave sociale mund të arrijnë tek fëmijët.

“Evropa ka fuqinë për të vepruar. Jemi ne që vendosim rregullat, jo teknologjia”, tha ajo.

Von der Leyen theskoi se qasja e BE-së do të shtrihet përtej të miturve, duke vënë në dukje se dizajni digjital që krijon varësi mund të prekë edhe të rriturit.

Komisioni Evropian planifikon të propozojë një “Akt për Drejtësi Digjitale” më të gjerë në vjeshtë, shtoi ajo.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button