BDI dhe LSDM akuzojnë njëra tjetrën se janë të kapura nga VMRO-DPMNE

BDI vazhdon ta quajë LSDM-në parti të kapur dhe vlerëson se LSDM është peng e VMRO-DPMNE-së duke e legjitimuar atë çdo ditë e më shumë.

Përmes një komunikate për media BDI pyet publikisht nesë ka filluar të materializohet marrëveshja Mickoski-Zaev e cila, sipas tyre, ka për qëllim margjinalizimin e shqiptarëve si shkëmbim për amnisti, ndërmjetësuar nga Koço Angjushev?

“Sjellja e LSDM-së sot duket gjithçka, përveç asaj të një partie opozitare ndaj VMRO-DPMNE-së. Në vend që të luftojë qeverinë aktuale, LSDM po vepron si një parti e “kapur”, e cila nuk guxon të sfidojë realisht pushtetin, por vetëm sa e legjitimon atë me heshtjen dhe pajtueshmërinë e saj. Ky transformim nuk është i rastësishëm. Marrëveshja e pashpallur mes Mickoskit dhe Zaevit, me ndërmjetësimin e oligarkut Angjushev, ka një qëllim të qartë: të sigurojë imunitet, në këmbim të një qeverisjeje që eliminon ndikimin politik të shqiptarëve”, thonë nga BDI.

Të kundërtën e thonë nga LSDM. Sipas kësaj partie, Ahmeti dhe BDI-ja me veprimet e tyre po i mundësojnë VMRO-DPMNE-së që edhe më tutje ta ndezë situatën ndëretnike në vend dhe të përfitojë politikisht.

Nga LSDM ku sërish i bëjnë thirrje BDI-së, siç thonë nga kjo parti, të dalë përfundimisht nga filmi nacionalist, duke nxitur tensione etnike dhe përçarje mes qytetarëve.

“BDI-ja me politikat e saj të papërgjegjshme po i mundëson VMRO-DPMNE-së të destabilizojë edhe më tej situatën dhe të përfitojë politikisht. Bashkëpunimi i tyre është më se i dukshëm – votojnë së bashku në Kuvend, BDI u siguron shumicën e Badinterit, madje skandalet e fundit, si lirimi falas i Artan Grubit përtej kufirit, janë dëshmi e qartë për këtë. LSDM-ja me konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, ka vendosur baza të forta për ndërtimin e një shoqërie të bashkuar dhe tolerante”, thonë nga LSDM.

LSDM i konsideron të papranueshme provokimet e qëllimshme etnike të BDI-së, të cilat sipas tyre, janë shndërruar në strategjinë e vetme të partisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button