Azizi: Nëse në fjalimin tim në Kuvend do ta apostrofoja Talat Xhaferin, do të flisja për JNA-në ose “Komandant Skopsko”

Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të BDI-së, Talat Xhaferi, duke theksuar se në fjalimin e tij në Kuvend nuk kishte apostrofuar askënd në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Azizi tha se Xhaferi e ka marrë përsipër epitetin “Avni Rustemi”, të cilin ai e kishte përmendur nga foltorja, edhe pse, sipas tij, deklarata ishte bërë në parim.
“E shoh se Talat Xhaferi e paska marrë përsipër epitetin ‘Avni Rustemi’, të cilin e përmenda në foltore. Unë fola në parim dhe nuk apostrofova asnjë në veçanti. Po të doja ta apostrofoj Talatin, do të flisja për JNA-në ose për ‘Komandant Skopsko’”, deklaroi Azizi.
Ai kritikoi edhe bllokimin e seancave të Kuvendit, duke e cilësuar si mungesë të vizionit politik dhe përpjekje për të krijuar tensione artificiale.
“T’i bllokoni seancat e Kuvendit dhe ligjet që nuk i keni bërë ju për 20 vjet, tregon qartë mungesën e kauzës dhe nevojën për teatër politik të bajatshëm”, u shpreh deputeti i VLEN-it.



