Avdullah Hoti del kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për President: Nuk e përkrah – LDK s’mund ta mbështesë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka dalë kundër kandidaturës së propozuar për Presidente të Republikës, Bekim Sejdiu duke thënë se kundërshtimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Në një reagim publik, Hoti ka deklaruar se Presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë unifikuese, e aftë të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa sipas tij, kandidatura në fjalë nuk e përmbush këtë standard.

“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional.”

Hoti ka shkuar më tej, duke ngritur kritika edhe ndaj mënyrës se si është pozicionuar LDK-ja në këtë proces.

Sipas tij, kandidatura nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të partisë dhe elektoratit të saj, ndërsa mënyra se si është imponuar zgjidhja krijon përshtypjen se LDK-ja ka penguar kandidatura të tjera politike për t’i hapur rrugë një kandidature që, sipas tij, është po ashtu politike.

Ish-kryeministri ka kërkuar që partia e tij të mbajë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm, duke kundërshtuar mbështetjen e një kandidature vetëm si pjesë e një marrëveshjeje politike.
“Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së.”
Hoti ka theksuar se qëndrimi i tij nuk duhet parë si çështje individësh, por si çështje që prek identitetin politik të LDK-së dhe përgjegjësinë ndaj votuesve të saj.

“Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka deklaruar Hoti.

Reagimin ai e ka përmbyllur me mesazhin: “Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button