Arsenal i armëve pranë varrezave masive në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka ekspozuar dhjetëra armë, mijëra municione dhe pajisje ushtarake, që ka sekuestruar në Zubin-Potok në disa lokacione. Autoritetet paralajmëruan hetime e ekzaminime për të përcaktuar origjinën dhe mundësinë e lidhjes së tyre me mbetjet mortore që janë gjetur së fundmi në këtë komunë të banuar kryesisht me serbë, e që dyshohet se u përkasin të zhdukurve me forcë gjatë luftës. Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, në deklaratën e tij ka thënë se heshtja e Serbisë dhe e Listës Serbe për zhvillimet e fundit në veri, tregon mbështetje për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e akteve të rënda.
Autoritetet kanë ekspozuar arsenal armësh e municioni dhe pajisjesh ushtarake, të cilat policia i ka sekuestruar në zonat përreth tri lokacioneve në Zubin-Potok, ku së fundmi u zbuluan varreza masive me mbetjet mortore të 23 personave.
Në një konferencë për media në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, tha se kjo sasi është kapur gjatë operacioneve e kontrolleve në 48 lokacione. Ai numëroi armatimin e sekuestruar.
“72 copë armë, 2 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, 90 armë të shkurtra, pistoleta të ndryshme, 7 mjete shpërthyese, 7 granata dore, 2 detonatorë, pjesë plastike për paketimin e granatave, 4.831 municione të kalibrave të ndryshëm me mjete piroteknike, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese, pjesë të armëve, karikatorë, pajisje tjera ushtarake”, ka bërë të ditur Hoxha.
E, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se edhe sekuestrimi i armatimit e edhe zbulimi i varrezave masive në Zubin-Potok, janë rezultat edhe i forcimit paraprak të rendit në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve… u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.
Ministri Sveçla ka bërë të ditur se për armatimin e kapur do të kryhen hetime e ekzaminime për të përcaktuar origjinën dhe mundësinë e lidhjes së armëve me mbetjet mortore që janë gjetur së fundmi në këtë komunë, e që dyshohet se u përkasin të zhdukurve me forcë gjatë luftës.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka shtuar ai.
Policia vazhdimisht raporton për armë e municione që sekuestrohen në veri, kryesisht në objekte të pabanueshme. Sasinë më të madhe që e ka kapur përnjëherësh, është ajo në shtatorin e 2023-s pas sulmit terrorist në Banjskë. Atëkohë u kap arsenal në vlerë rreth 5 milionë euro.
Heshtja e Serbisë, e Listës Serbe…,
Drejtuesit e institucioneve të sigurisë kanë ngritur dyshimet se armët e gjetura mund të jenë përdorur për vrasjen e personave që janë gjetur në varrezën masive në afërsi të Zubin Potokut.
Ministri Sveçla në deklaratën e tij ka thënë se Kosova s’do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës. Ai ka thënë se heshtja e Serbisë dhe e Listës Serbe për zhvillimet e fundit në veri, tregon mbështetje për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e akteve të rënda.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se Serbia në vend se të hapë arkivat për krime lufte, po përdor retorikë për të devijuar thelbin e çështjes.
“Kemi gjetur tri varreza masive, kemi zbuluar mbi 72 armë të gjata, e Vuçiqi në vend se të premtojë bashkëpunim e t’i hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ai mundohet që përmes retorikës së tij ta devijojë thelbin e çështjes. Ne punën tonë do ta kryejmë, qoftë në dy rastet që i përmendëm, e po ashtu edhe hetimin e këtij pretendimi… Vuçiqi duhet të veprojë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen. Gjitha këto të dhëna të cilat Kosovës i duhen për t’i zbuluar krimet e luftës, Vuçiqi dhe Serbia i kanë. Duhet t’i bëjnë publike e të na i dorëzojnë e po ashtu t’i dorëzojnë kriminelët që kanë bërë krime qoftë gjatë luftës e qoftë edhe në periudhën e pasluftës”, ka deklaruar tutje ai.
Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, në konferencën e mbajtur në Mitrovicë i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që ajo t’i bëjë publike gjitha informatat që ka në lidhje me vrasjet e kohës së luftës e po ashtu t’i dorëzojë kriminelët që kanë kryer krime lufte në Kosovë. Ai dha edhe detaje për gërmimet e kryera në tri lokacione në Zubin-Potok. Në lokacionin e parë, sipas tij, janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin katër dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore.
“Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat për media. Duhen hapa konkretë në raportin bashkësi ndërkombëtare – Serbi, në mënyrë që Serbia e Qeveria e saj të detyrohen të sillen në situatën ku i hapin arkivat. E dini se Qeveria aktuale e Serbisë ka vazhduar që dosjet e brigadave të tëra t’i mbyllë me shpalljen e tyre si dosje sekrete. Ajo jo vetëm që s’po i zbulon informatat, por po i betonon ato me qasjen e saj kundërshtuese ndaj zbulimit të informatave. Bashkësia ndërkombëtare, bota demokratike duhet ta rrisë presionin ndaj Serbisë”, ka theksuar ai.
Për mundësinë që armët e gjetura të jenë përdorur më 1999 për të vrarë personat e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”, ka folur edhe drejtori i policisë, Gazmend Hoxha.
“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, te rasti i grupit të intelektualëve, por këto mbeten që të verifikohen pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe nëse ka nevojë, dërgohen edhe jashtë. Mbetet një informacion që duhet të verifikohet”, tha Hoxha.
Drejtori i Policisë ka treguar edhe se si u zhvilluan hetimet deri në gjetjen e varrezave masive në veri.
“Lidhur me rastin e zhdukjes së familjes Feka dhe Isufi, hetuesit kanë paraqitur kallëzim penal ndaj një të dyshuari. Pas informacioneve të siguruara kohët e fundit nga puna operative në terren, puna hetimore dhe bashkëpunimi i ngushtë me banorët lokalë, është arritur të sigurohen informacione. Informacionet e grumbulluara për një kohë të gjatë si dhe njohuritë e hetuesve për subjektet kanë bërë që të arrihet të lokalizohen edhe vendvarrezat e dyshuara. Pas arritjes në lokacion, gjatë vëzhgimit fillestar të sipërfaqes së terrenit, në një afërsi të një përroi, janë vërejtur pjesë kockore dhe pjesë të veshmbathjeve të ekspozuara pjesërisht në sipërfaqen e tokës. Pas ekzaminimit preliminar, është konstatuar se pjesët kockore janë me prejardhje njerëzore dhe paraqesin interes forenzik”, ka thënë Hoxha.
Tek në vitin 2024 është formuar ekip i veçantë hetimor për rastin e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”
Policia ka bërë të ditur se çështjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës” e ka marrë nga EULEX-i më 2018. Më 2024 është themeluar një ekip i veçantë hetimor.
Bashkim Spahiu nga Policia e Kosovës ka thënë se nga viti 1999 deri më 2018, në Zubin-Potok janë kryer 17 gërmime.
“Nga dokumentacioni i trashëguar kemi parë një angazhim dinamik të lokalizimit dhe kërkimit të vendvarrezave në atë pjesë. Nëse flasim për periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2018 kemi realizuar 17 gërmime në atë zonë, me përqendrim të pjesës perëndimore të Zubin-Potokut”, ka thënë ai.
Të mërkurën, Prokuroria Speciale, Policia dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, kanë konfirmuar se nga gërmimet në tri lokacione në veri, janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Gërmimet kanë përfunduar në dy nga tri pikat e identifikuara në një lokacion të fshatit Kalludër të Vogël si dhe në Jabukë.
Më 28 korrik nisën gërmimet pas dyshimeve për një varrezë me mbetje mortore që autoritetet kanë thënë se besohet se u përkasin 23 civilëve shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve” nga Skenderaj e Mitrovica. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera. Ata ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999 dhe prej 27 vjetësh fati i tyre nuk është zbardhur.
Gërmimet në tri lokacionet në komunën e Zubin-Potokut, përkatësisht në Kalludër dhe Jabukë, nisën menjëherë pasi Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona, me inicialet M. J. dhe M. B. nën dyshimin për krime lufte, duke vrarë 23 civilë shqiptarë. Më pas është arrestuar edhe një tjetër serb, me dyshime se ka kryer krime lufte.



