ARBU: Ali Pajaziti, njëshi i sociologjisë në RMV

Platforma ARBU (The Academic Ranking of Balkan Universities) ka publikuar së fundmi rezultatet e rangimit gjithëpërfshirës akademik për rajonin e Ballkanit.
Ky projekt bën vlerësimin dhe rënditjen e hulumtuesve shkencorë dhe të universiteteve bazuar në kriterin e performancës dhe numrit të citimeve të tyre.
Sipas këtyre të dhënave, prof. dr. Ali Pajaziti, anëtar i stafit akademik në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore (FShShB) të UEJL-së, është ranguar i pari në fushën e sociologjisë në vendin tonë, duke u konfirmuar si sociologu më i cituar në Maqedoninë e Veriut.
Ai në kontekstin gjithëballkanik del i katërti pas Sllavko Spliçal (UniLubjana), Rade Kalanj (UniZagreb) dhe Sreqko Mihailoviq (IShS, Beograd). Suksesi bëhet edhe më i spikatur kur merret parasysh fakti se në universitetin më të vjetër të Maqedonisë (Shën Cirili dhe Metodi) kjo disiplinë ligjërohet nga 1964 kur është hapur grupi studimor për sociologji dhe është themeluar Instituti i Sociologjisë.
Këto të dhëna numerike flasin për pasionin dhe ritmin me të cilin punohet në një nga universitetet më prestigjioz shqiptare. Edhe më mbresëlënës është fakti se në UEJL nuk ka departament të sociologjisë.



