PDK kërkon që sot të mbahet seanca për votimin e Ligjit për Specialen

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që seanca për votimin e ndryshimeve të ligjit të Dhomave të Specializuara të mbahet këtë sot (e shtunë).
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në Facebook.
Paralelisht, sipas saj, Kosovës i duhet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, rrezikojmë ta pamundësojmë mbështetjen institucionale që ua kemi borxh çlirimtarëve, gjakut të derdhur dhe ëndrrës sonë për liri”, shtoi ajo.
Në një mbledhje elektronike në orët e vona të së premtes, Qeveria e Kosovës e miratoi vendimin për ta dërguar në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara.

