Arben Fetai emërohet i Dërguar Special për Bashkimin Evropian me seli në Bruksel

Ish zëvendëskryeministri Arben Fetai ka njoftuar se është emëruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në detyrën e të Dërguarit Special për Bashkimin Evropian, me seli në Bruksel.
Sipas Fetait, emërimi përfaqëson një përgjegjësi të rëndësishme, ndërsa misioni i tij do të jetë avancimi i procesit të integrimit evropian të vendit, përmes forcimit të mbështetjes politike në institucionet dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe kontributit në tejkalimin e sfidave politike dhe diplomatike.
Ai theksoi se, pas një karriere të gjatë në Bruksel dhe përvojës së fituar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e merr këtë detyrë me bindjen se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian.
Fetai shprehu mirënjohje ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë për besimin e dhënë, duke theksuar se rruga drejt Brukselit vazhdon me vendosmëri, partneritet dhe besim të plotë në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.



