“Amnesty International”: Gjenocidi i Izraelit në Gaza me pasoja shkatërruese për gratë dhe vajzat

Organizata “Amnesty International” publikoi raport të detajuar që thekson pasojat shkatërruese të gjenocidit të Izraelit në Gaza mbi gratë dhe vajzat, duke dokumentuar luftën e tyre të përditshme për mbijetesë që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.

I publikuar të mërkurën me titullin “Pa kushte për jetesë: Gratë, vajzat dhe dimensionet gjinore të gjenocidit të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza”, raporti ofron analizë të bazuar në gjini mbi gjenocidin e Izraelit në Gaza dhe zgjeron gjetjet e një raporti të mëparshëm të “Amnesty International”, të publikuar në dhjetor 2024, i cili arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në këtë enklavë.

“Sjellja e Izraelit në Gaza që nga 7 tetori 2023 ka qenë shkatërruese për jetën e grave dhe vajzave. Forcat izraelite kanë vrarë mijëra gra dhe vajza, mesatarisht rreth 30 në ditë para të ashtuquajturës armëpushim”, thuhet në raport. Aty theksohet se shumë nga vdekjet erdhën si pasojë e sulmeve që shkelën të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke shtuar se bllokada e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e një numri të paspecifikuar grash dhe vajzash të tjera.

“Gratë dhe vajzat janë detyruar të përballen me luftë të përditshme për mbijetesë, të shoqëruar nga hidhërimi, trauma, dhuna, zhvendosjet e përsëritura, privimi ekstrem, frika dhe humbjet e thella”, vëren raporti. Raporti shton se grave dhe vajzave u është mohuar qasja në kujdesin thelbësor shëndetësor, përfshirë shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, ndërkohë që janë përballur me rreziqe në rritje të dhunës me bazë gjinore.

“Veprimet e Izraelit kanë minuar rëndë mundësinë e palestinezëve për të marrë vendime nëse dhe kur të kenë fëmijë, të ngjizen, të çojnë shtatzënitë deri në fund dhe të lindin në mënyrë të sigurt”, thekson raporti. Aty nënvizohet se gratë dhe vajzat në Gaza i kanë përjetuar këto dëme “në mënyrë kumulative dhe të përsëritur”, duke çuar në “nivele shkatërruese të dëmeve fizike, mendore dhe riprodhuese”.

“Nevojat e paplotësuara të grave për shëndetin riprodhues, përgjegjësitë gjinore në kujdesin ndaj të tjerëve dhe pabarazitë ekzistuese e kanë përkeqësuar dëmin që ato kanë përjetuar. Këto shkelje kanë qenë pjesë integrale e gjenocidit të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza”, thuhet më tej në raport.

Raporti nënvizon se provat tregojnë se gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve në Gaza ka vazhduar pavarësisht armëpushimit të tetorit 2025, përfshirë “shkaktimin e qëllimshëm” të vazhdueshëm të kushteve të jetesës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik të palestinezëve në enklavë.

Ai thekson se Izraeli ka vendosur masa që kanë efektin e parandalimit të lindjeve midis palestinezëve në Gaza, duke e përshkruar këtë si akt shtesë të ndaluar sipas Nenit II (d) të Konventës së Gjenocidit nëse kryhet me qëllimin e kërkuar.

Raporti u bazua në 228 intervista të thelluara të kryera nga distanca midis 7 tetorit 2023 dhe 1 tetorit 2026, përfshirë intervista me gra dhe vajza, dëshmitarë, ofrues të kujdesit shëndetësor dhe staf nga organizatat joqeveritare dhe agjencitë e OKB-së.

Ai dokumenton shkallën e vrasjeve dhe lëndimeve, rreziqet me të cilat përballen gratë në aksesin në kujdesin e lindjes, çmontimin e shërbimeve të shëndetit të nënës, zhvendosjen e detyruar, shkatërrimin e autonomisë riprodhuese, paraburgimin bazuar në gjini dhe dëme të tjera.

“Amnesty International” i bëri thirrje Izraelit që t’u japë fund menjëherë të gjitha shkeljeve kundër palestinezëve në Gaza, të mbrojë kujdesin dhe të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues, t’i japë fund dhunës me bazë gjinore dhe ndalimit arbitrar si dhe të sigurojë ribashkimin familjar.

Organizata u kërkon shteteve të tjera të përdorin të gjitha mjetet politike dhe diplomatike në dispozicion për të siguruar që Izraeli të përmbushë detyrimet e tij sipas të drejtës ndërkombëtare, përfshirë marrjen e masave për të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin dhe shmangien e kontributit në shkelje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button