Punonjësit e NTP-së kapen duke vjedhur naftë nga autobusët në Shkup

Punonjës të Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkupi” janë kapur duke vjedhur naftë nga autobusët në garazhin e ndërmarrjes në Gjorçe Petrov. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, publikoi në profilin e tij në Facebook fotografi ku shihen rreth dhjetë shishe plastike, në të cilat punonjësit mbushnin naftë nga autobusët.
“Kontrolli i brendshëm i NTP-së ka kapur punonjës duke vjedhur sasi të konsiderueshme nafte nga garazhet e ndërmarrjes në Gjorçe Petrov. Menjëherë është thirrur policia. Pres që Prokuroria të nisë procedurë dhe secili për të cilin do të vërtetohet përgjegjësia të japë llogari para ligjit”, shkroi Gjorgjievski në profilin e tij në Facebook.
Siç paralajmëroi kryetari i Qytetit të Shkupit, punonjësit në fjalë do të largohen nga puna.



