Ambasadori amerikan: Palestinezët s’kanë vend në atdheun e tyre – le t’u japin tokë shtetet myslimane!

Një shtet palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar nuk është më objektiv i politikës amerikane, deklaroi ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, për Bloomberg të martën, duke sugjeruar se “fqinjët myslimanë” të Izraelit mund të japin tokën e tyre për krijimin e një shteti palestinez.
“Nëse nuk ndodhin disa ndryshime të rëndësishme që të ndryshojnë kulturën, nuk ka hapësirë për një shtet palestinez”, tha Huckabee, i emëruar nga presidenti Donald Trump dhe përkrahës i kahershëm i zgjerimit të vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara. Ai shtoi se këto ndryshime, ndoshta, “nuk do të ndodhin gjatë jetës sonë.”
I ngacmuar më tej për këtë çështje, Huckabee përsëriti një pretendim shpërthyes që është hedhur nga disa zyrtarë izraelitë, sipas të cilit shtetet fqinje myslimane mund të japin toka për të krijuar një shtet palestinez.
“Ku do të jetë ky shtet? A duhet të jetë patjetër në Jude dhe Samari?” pyeti Huckabee, duke përdorur emërtimet biblike hebraike për Bregun Perëndimor. “A duhet të jetë diku tjetër?”
Ai nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të territorit saudit për krijimin e një shteti palestinez, duke thënë se “çdo opsion duhet të jetë në tryezë.”
“Shtetet myslimane kanë gjashtëqind e dyzet e katër herë më shumë tokë sesa Izraeli. Kur njerëzit thonë se Izraeli duhet të heqë dorë nga diçka, ti kruan kokën dhe thua: ‘prit pak… pse duhet këta njerëz [izraelitët] të bëjnë vend, kur ata të tjerët [vendet myslimane] kanë aq shumë hapësirë sa mund të ‘çajnë një copë për ta’,” shtoi ai.
Reagime të mundshme nga Egjipti dhe Jordania
Deklaratat e Huckabee pritet të shkaktojnë zemërim në Egjipt dhe Jordani, dy vende që prej kohësh kanë shprehur shqetësime se Izraeli synon të zhvendosë me forcë palestinezët nga Gaza dhe Bregu Perëndimor drejt territoreve të tyre.
Në maj, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se zbatimi i një plani të prezantuar nga Trump në fillim të vitit – që parashikonte dëbimin e palestinezëve nga Gaza dhe transformimin e saj në një “Rivierë të Lindjes së Mesme” – ishte kthyer në kusht për përfundimin e luftës izraelite në Gaza.
Zhvendosja e palestinezëve dhe mohimi i të drejtave
Refuzimi i Huckabee për të përjashtuar mundësinë e krijimit të një shteti palestinez në territor saudit pritet të ndezë më tej tensionet. Në shkurt, Netanyahu propozoi që palestinezët të krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite në vend që të pretendojnë të drejtën mbi tokën e tyre historike – një deklaratë që shkaktoi reagim të ashpër nga Riyadhi.
Në mandatin e tij të parë, Trump prezantoi të ashtuquajturin “Marrëveshja e Shekullit” për paqen në Lindjen e Mesme, që parashikonte një shtet të cunguar palestinez pa sovranitet të plotë – por të paktën brenda Bregut Perëndimor të pushtuar.
Komentet e Huckabee janë edhe më ekstreme, pasi nuk përjashtojnë dëbimin e plotë të palestinezëve nga atdheu i tyre.
Që nga vitet 1950, administratat amerikane kanë deklaruar se objektivi i tyre afatgjatë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez është krijimi i një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Shumë diplomatë dhe ekspertë kanë identifikuar Jerusalemin Lindor të pushtuar, Bregun Perëndimor dhe Gazën – territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967 – si baza territoriale për një shtet të ardhshëm palestinez.
Mohimi i identitetit palestinez
Huckabee, një figurë e shquar e lëvizjes evangjeliste pro-izraelite në SHBA, ka mohuar në mënyrë të përsëritur identitetin kombëtar palestinez. Në ditët e para të luftës në Gaza, ai u shpreh për zhvendosjen me forcë të palestinezëve, duke pyetur: “Nëse të ashtuquajturit palestinezë janë kaq të dashur nga kombet myslimane, pse asnjë nga ato vende nuk ofron strehim të përkohshëm për vëllezërit dhe motrat e tyre në Gaza?”
Ai është gjithashtu një avokat i zëshëm për aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor dhe Gazës nga Izraeli. “Besoj se Izraeli ka aktin e pronësisë për Jude dhe Samari,” tha ai për Politico në vitin 2017.
“Nuk i përdor disa fjalë. Nuk ka gjë të tillë si ‘Bregu Perëndimor’. Është Jude dhe Samari. Nuk ka ‘vendbanime’. Janë komunitete, janë lagje, janë qytete. Nuk ka ‘pushtim’,” u shpreh ai në atë kohë.