Aktivitete intenzive ndërtimore në segmentet e autostradave në vend

Shpatet e pambrojtura, nyjet dhe mbikalimet e paparashikuara gjatë ndërtimit të rrugës Kërçovë–Ohër, shpronësimi i papërfunduar, dislokimi i objekteve dhe rrjeteve në segmentet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilat është përballur Qeveria pas marrjes së kompetencave. Që atëherë, thonë autoritetet përgjegjëse, po punohet me intensitet dhe përkushtim për zgjidhjen e problemeve me shpatet dhe rrëshqitjet e dheut, për çka do të ndërtohen 14 galeri mbrojtëse.

Afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Ohër mbetet i njëjtë pavarësisht problemeve dhe pritet që ajo të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa në tremujorin e parë të vitit pasues të bëhet plotësisht funksionale. Për shkak se qeveria e kaluar nuk ka realizuar punët e nevojshme për ndërtimin e autostradës Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, afati do të shtyhet për vitin 2029, kur pritet përafërsisht të përfundojë edhe segmenti Bukojçan–Kërçovë me gjatësi prej 11 kilometrash.

Kur të përfundojnë të gjitha segmentet e autostradave, pritet që distanca nga Shkupi në Ohër të shkurtohet për rreth njëzet kilometra, por edhe më shumë do të reduktohet koha e udhëtimit, e cila do të jetë rreth një orë e pesëmbëdhjetë deri në njëzet minuta. Kjo u theksua gjatë një inspektimi të fundit të punimeve, të kryer nga Hristijan Mickoski së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikoloski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski.

Lidhja infrastrukturore është pozicionim strategjik dhe objektiv i Qeverisë, theksojnë autoritetet, duke shtuar se korridoret 8 dhe 10 janë të një rëndësie strategjike për shtetin në shumë aspekte, prandaj mbeten prioriteti i tyre kryesor.

Edhe pse ndërtimi i autostradës Kërçovë–Ohër ka filluar prej kohësh, kjo Qeveri, siç u theksua, ka trashëguar një gjendje shumë të keqe, me shpate të pambrojtura, mungesë të gardhit mbrojtës të paraparë, si dhe nyje dhe mbikalime të paparashikuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button