Aksion i madh policor në Shkup: Tre persona përfundojnë në pranga

Tre persona janë privuar nga liria gjatë dy aksioneve policore të realizuara më 18 korrik 2026 në Shkup, ku janë sekuestruar lëndë e dyshuar narkotike, armë dhe municion.
Në zonën e Bit Pazarit, nëpunës policorë nga Njësia e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup kanë arrestuar S.B. (21) dhe E.A. (33), të dy nga Shkupi.
Gjatë bastisjeve të kryera në shtëpitë e tyre, me urdhër gjykate, policia ka gjetur dhe sekuestruar 58 qese me lëndë pluhurore të bardhë, si dhe një peshore digjitale.
Në një aksion tjetër, të realizuar në fshatin Saraj, policia ka privuar nga liria M.A. (40) nga fshati Radushë.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, gjithashtu me urdhër gjykate, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë “Glock” e kalibrit 9×19 milimetra, një karikator dhe 13 fishekë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të arrestuar do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.




