Afrim Gashi takohet me ministrin e Punës të Katarit, diskutojnë për investime, ekonomi dhe bashkëpunim dypalësh

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim të përzemërt dhe konstruktiv me ministrin e Punës të Shtetit të Katarit, dr. Ali bin Said bin Samih Al-Mari, ku në fokus ishin marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe për krijimin e partneriteteve konkrete ndërmjet dy vendeve. Vëmendje e veçantë iu kushtua investimeve, ekonomisë, energjetikës dhe turizmit, si fusha me potencial të madh për bashkëpunim të mëtejshëm.
Në takim u trajtuan gjithashtu mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në arsim dhe kulturë, me synim forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Katarit.

Afrim Gashi dhe dr. Ali bin Said bin Samih Al-Mari riafirmuan marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Katarit, duke vlerësuar se ekziston një bazë e mirë për t’i dhënë një dinamikë të re raporteve dypalëshe.
Palët theksuan rëndësinë e kalimit nga marrëdhëniet diplomatike drejt bashkëpunimit konkret dhe partneriteteve të qëndrueshme, veçanërisht në sektorët që mund të sjellin investime, zhvillim ekonomik dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e të dyja vendeve.
Takimi u zhvillua në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit, duke konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut dhe intensifikimin e kontakteve ndërmjet institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Katarit.




