Admir Shabani: Mirënjohje për pjesëtarët e Armatës në prag të 18 Gushtit

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, në prag të 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka përcjellë një mesazh mirënjohjeje për pjesëtarët e Armatës dhe të punësuarit në sektorin e mbrojtjes.
Shabani, së bashku me pjesëtarët e Armatës dhe të punësuarit në mbrojtje, shënoi këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për vendin, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e tyre në shërbim të sigurisë së shtetit.
“Mirënjohje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e çdo pjesëtari të Armatës dhe të punësuarit në mbrojtje, të cilët çdo ditë kontribuojnë për një vend më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”, theksoi Shabani.
Ai nënvizoi se puna për forcimin e Armatës, zhvillimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve për pjesëtarët e saj do të vazhdojë me përgjegjësi dhe përkushtim.
Sipas Shabanit, sukseset e arritura dëshmojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa uniteti dhe angazhimi i përbashkët mbeten thelbësorë për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.
Në fund, zëvendësministri i Mbrojtjes uroi 18 Gushtin – Ditën e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që me dinjitet i shërbejnë atdheut.



