Administrata Trump për bllokimin e medias: Qasja në Shtëpinë e Bardhë është një privilegj, jo një e drejtë

Administrata e Donald Trump në një dokument drejtuar Departamentit të Drejtësisë, ka deklaruar se presidenti amerikan ka të drejtë t’u mohojë mediave aksesin në zona të caktuara të Shtëpisë së Bardhë. Ky reagim vjen duke mbrojtur vendimin e Trump për të bllokuar gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë.
Tre mediat amerikane që u ndaluan nga Shtëpia e Bardhë kanë apeluar në Gjykatë kundër vendimit të Trump dhe një seancë e parë dëgjimore është planifikuar për këtë të mërkurë pasdite në një gjykatë në Uashington.
“Qasja në Shtëpinë e Bardhë është një privilegj, jo një e drejtë”, thuhej në një memorandum drejtuar gjykatës.
Departamenti i Drejtësisë vëren në memorandumin e tij se Trump mund të kontrollojë zona private të Shtëpisë së Bardhë për të mbrojtur informacionin që lidhet me çështjet e sigurisë kombëtare.
“Presidenti ka zbuluar se paditësit ndërmorën një sërë veprimesh që rezultuan në transmetimin e informacionit që kërcënonte sigurinë kombëtare. Një raportim i tillë ngre shqetësime të menjëhershme për sigurinë kombëtare”, theksohet në dokument.
Departamenti i Drejtësisë akuzon CNN, MS NOW dhe Politico për publikimin e informacionit të ndjeshëm ose të klasifikuar në raportet e tyre që mbulojnë luftën në Iran ose punimet e ndërtimit të sallës së vallëzimit të Shtëpisë së Bardhë.
Memorandumi i departamentit përfshin gjithashtu tre letra drejtuar secilës prej mediave që detajojnë “incidente gjatë mbulimit” për të justifikuar vendimin për t’i ndaluar ata të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë. CNN, MS NOW dhe Politico kanë afat deri të premten për të kundërshtuar zyrtarisht incidentet.
Letra drejtuar CNN citon raportin e rrjetit mbi planet e Trump për të ndërtuar një bunker tepër sekret nën sallën e ballove East Wing që po ndërton, si dhe disa raportime mbi luftën në Iran.
Letra drejtuar MS NOW kritikon mbulimin e saj të luftës në Iran dhe një raport mbi një hetim për rrjedhje informacioni, ndërsa Politico u shënjestrua për raportimin mbi Iranin, sallën e vallëzimit dhe diskutimet e sanksioneve kundër Rusisë.



