A do ta kthejë Maqedonia e Veriut shërbimin e detyrueshëm ushtarak?
A po mendon Maqedonia kthimin e shërbimit të rregullt ushtarak? Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, thotë se duhet të dëgjohen mendimet e ekspertëve, por për shërbimin vullnetar në ushtri. Kroacia ka njoftuar se nga 1 janari do të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“Kemi pasur përvojë të tillë. Po, mendoj se duhet ta mendojmë këtë. Mendoj se ka njerëz që dëshirojnë të bëjnë vullnetarisht shërbimin ushtarak dhe pse të mos e lejojmë këtë, mendoj se atëherë qëndrimi ndaj ushtrisë do të jetë edhe më pozitiv, duhet të diskutohet, duhet të dëgjohen argumente për të testuar disponimin e njerëzve dhe për të vepruar në atë drejtim”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – presidente.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Vasko Gjurçinoski, vlerëson se nuk duhet të nxitohet për marrjen e vendimit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“Mendoj se nuk ka nevojë për momentin të nxitojmë me shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Prandaj koha do të tregojë, por nuk duhet t’i dërgojmë, sepse nuk ka absolutisht asnjë rrezik për sigurinë kombëtare dhe për të nxituar e për të marrë vendime, si disa vende anëtare të NATO-s dhe jashtë”, tha Vasko Gjurçinovski – Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së.
LSDM-ja reagoi ndaj deklaratës së Siljanovskës, se ajo demonstron injorancë të plotë të fushave nën kompetencat e saj. “Do të kishte mjaftuar të lexonte të paktën një pjesë të ligjit thelbësor i cili e përcakton kompetencën e saj, Ligjin e Mbrojtjes dhe do të kishte parë që edhe tani shërbimi vullnetar ushtarak parashikohet në dhjetë nene. Kështu ka qenë gati dy dekada – thonë nga LSDM-ja.
Sot në Ohër batalioni i forcave speciale të ushtrisë prezantoi aftësitë e tij përmes ushtrimeve demonstruese për kryerjen e operacioneve në ujë, si dhe të sporteve luftarake. /Alsat/