SHBA sanksionon ish-gjyqtarin e Gjykatës Speciale, i cili lëshoi urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar dy gjyqtarë dhe dy prokurorë të cilët shërbejnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Në mesin e tyre është edhe ish-gjykatësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), Nicolas Guillou.

Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, gjyqtari Nicolas Guillou është sanksionuar pasi kishte marrë vendim për lëshimin e urdhër-arrestit për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Në vendimin për sanksionimin e Guillou dhe të tjerëve thuhet se të gjitha pasuritë e tyre janë bllokuar si dhe transaksionet e qytetarëve amerikanë me ta janë të ndaluara përveç nëse ato autorizohen.

Nicolas Guillou u emërua gjykatës në Gjykatën Speciale më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e gjykatësit të procedurës paraprake në çështjet gjyqësore të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Salih Mustafës, rastin e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit, në rastin e Pjetër Shalës, si dhe të Sabit Januzit e Ismet Bahtijarit.

Ai ishte caktuar gjithashtu në funksionin e gjykatësit të vetëm në çështjen kundër Isni Kilajt.

Nicolas Guillou më 05.12 2023 u zgjodh gjykatës në GJPN.

Kimberly Prost, gjyqtare, Nazhat Shameem Khan, prokuror dhe Mame Mandiaye Niang, prokuror të Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prost është sanksionuar pas vendimit për autorizimin e hetimeve mbi personelin amerikan në Afganistan ndërsa Shameem Khan dhe Niang për vazhdimin e mbështetjes së veprimeve të paligjshme të GJPN-së kundër Izraelit, duke përfshirë mbështetjen e urdhër-arresteve të GJPN-së që synojnë kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Gallant, që kur ata morën udhëheqjen për Zyrën e Prokurorit të GJPN-së.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button