Parandalohet kontrabanda e mallrave me vlerë mbi 2,000 euro përgjatë kufijve me Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë

Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore kufitare, në dy raste të ndara kanë arritur që ta bëjnë parandalimin e kontrabandimit me mallra, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale përgjatë zonave kufitare.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se më datën 17.08.2025 Njësia e Taskforcës – Lindje, e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës, ka trajtuar informacionet se rreth zonës kufitare ndërmjet RMV–RKS një automjet i dyshuar me targa vendore po transportonte mall të kontrabanduar, ku njësitet e angazhuara policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat automjeti i dyshuar është ndaluar.
“Gjatë kontrollit të automjetit pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, është hasur sasi e mallrave si: tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive, bizhuteri etj., të cilat ishin transportuar në mënyrë të kundërligjshme nga RMV në drejtim të Kosovës dhe të cilat nuk kishin dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftim.
Tutje siç bëhet e ditur në njoftim, lidhur me rastin personi i dyshuar, së bashku me automjetin dhe mallrat janë shoqëruar në terminalin doganor përkatës, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet mbi 2,000 (dy mijë) euro, të cilat janë sekuestruar dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës.
Ndërsa në rastin e dytë bëhet e ditur se më datën 17.08.2025 njësitet policore nga DRPK-Lindje SPMK–Muqivërcë, pas sigurimit të informatave operative rreth dyshimeve për kontrabandë, nga territori i Republikës së Serbisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime taktike, me ç’rast njësitë policore kanë ndaluar tentativën për kontrabandë të automjetit të dyshuar me targa vendore në fshatin Lisock- Kamenicë.
“Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur sasi e specave prej 1,500 kg, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës. Lidhur me rastin pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti, ndërsa malli i konfiskuar është dorëzuar në Doganën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht kontrabandës.