Ibrahimi: Vasalë e hyzmeqarë janë ata që heshtin kur fyhen shqiptarët

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, përmes një statusi ka sqaruar se çfarë përfshin fusha semantike e fjalëve “vasalë” dhe “hyzmeqarë”.

“Vasalë dhe hyzmeqarë quhen ata që, kur ministrja e Punëve të Brendshme i quan shqiptarët ‘indijanci’, ata heshtin si pula të lagura dhe nuk u dëgjohet zëri”, ka shkruar Ibrahimi.

Ai ka vijuar me shembuj të tjerë, duke thënë se:

“Vasalë dhe hyzmeqarë janë ata që kur policia, ku ata e kanë zëvendësministrin, i tërheq gratë shqiptare zvarrë, ata hiqen sikur jetojnë në Burkina Faso dhe se ajo nuk ka të bëjë fare me ata”;

“Vasalë dhe hyzmeqarë janë ata që te Gruevski e pranonin Car Dushanin, ndërsa vetë fotografoheshin te Metodija Sharlo”;

“Vasalë dhe hyzmeqarë janë ata që, duke pasur zëvendësministër të policisë, lejonin të rrihen shqiptarët në Gjorçe Petrov dhe të shkatërrohen pronat shqiptare atje”;

“Vasalë dhe hyzmeqarë janë ata që kur policia, ku ata e kishin zëvendësministrin, ua vrau kryekomandantin e luftës (Harun Aliu), ata vazhdonin të rrinin në qeveri dhe nuk bëzanin nga tuta”;

“Vasalë dhe hyzmeqarë quhen ata që para Mijallkovit ‘asnjë fjalë nuk u shpëtonte prej goje’, ndërsa popullit të tyre ua bënin gati valixhet për t’i përzënë.”

Në të njëjtën kohë, Ibrahimi ka theksuar se në fushën semantike të vasalitetit dhe hyzmeqarisë nuk bën pjesë:

hapja e pikës “one stop shop” në Bllacë;

80 milionë euro për komunat shqiptare për një vit dhe po aq në tre vitet e ardhshme;

34 milionë euro për Universitetin “Nëna Terezë”; sanksionimi ligjor i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat; ligji për zyrtarizimin e Medresesë “Isa Beu”; mbi 2500 punësime për një vit, etj.

“Nëse Kryevasali edhe pas kësaj ende nuk i ka të qarta këto koncepte, do t’i marrë vesh pas 19 tetorit”, përfundon Ibrahimi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button