Qeveria: Nga sot, pajisjet shkollore do të shiten për së paku 15% më lirë

“Nga sot nis fushata e Qeverisë për uljen e çmimeve të materialeve shkollore me 10 dhe 15 për qind. Duke pasur parasysh se një pjesë e tregtarëve, para fillimit të vitit të ri shkollor, rrisin në mënyrë të tepruar çmimet e materialeve shkollore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e shpenzimeve të buxhetit familjar të mijëra qytetarëve, Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, mori vendim dhe i obligoi tregtarët që t’i ulin çmimet me të paktën 10 dhe 15 për qind. Ky vendim do të vlejë nga sot, 15 gusht, deri më 15 shtator”, njoftojnë nga Qeveria.

“Tregtarët me shumicë do t’i ulin çmimet e materialeve shkollore me të paktën 10 për qind, ndërsa tregtarët me pakicë me të paktën 15 për qind.

Me këtë vendim ulen çmimet e çantave dhe ranceve, fletoreve, blloqeve, kolazheve, lapsave dhe stilolapsave (ekonomikë, plastikë), bojërave druri dhe dylli, plastelinës, masave për modelim, tablove, shënjuesve dhe markerëve, bojërave tempera, akrilik dhe ujore, penelave, vizoreve dhe materialeve didaktike, briskave dhe gomave për fshirje, gërshërëve për fëmijë, kutive dhe etuieve, ngjitësve, kompasëve, kalkulatorëve, letër dekorative, dosjeve dhe çantave kartoni, materialeve për punime si dhe produkteve të tjera të nevojshme për nxënësit, gjë që do të thotë çmime më të ulëta dhe më të përballueshme për të gjithë qytetarët tanë.

Gjithashtu, tregtarët janë të detyruar që, krahas çmimit të ri të ulur të produkteve, të shënojnë edhe çmimin e vjetër që ka qenë në fuqi më 01.06.2025, i cili merret si çmim bazë për llogaritjen e uljes. Përpara hyrjes së objektit tregtar ose në një vend tjetër të dukshëm në dyqan, duhet të vendoset një poster me format të paktën A3, ku të jetë i shënuar slogani “Më pak shpenzime, më shumë për ty”, i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, si dhe mbishkrimi: “ZBRITJE NË MATERIAL SHKOLLOR, prej të paktën 15%”.

Apelojmë të mos ketë përpjekje për shmangien e këtij vendimi, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut do të ndjekë në terren zbatimin e tij. Përndryshe, do të ketë sanksione, pasi çdo vendim i marrë në interes të qytetarëve duhet të zbatohet.

Me këtë masë, jo vetëm që çmimet e materialeve shkollore do të ulen ndjeshëm, por, sipas disa analizave, shpenzimet e mijëra familjeve që kanë nxënës mund të përgjysmohen.

Qeveria është e përqendruar në marrjen e masave konkrete që përmirësojnë standardin e jetesës dhe gjendjen ekonomike”, përfundon njoftimi i Qeverisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button