Ushtria izraelite “rekomandon” arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazën e shkatërruar nga lufta

Sipas një zyrtari të lartë ushtarak të Izraelit, ushtria izraelite ka rekomanduar arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës, pas gati dy vitesh lufte të pamëshirshme, transmeton Anadolu.

Siç raporton transmetuesi publik KAN, duke cituar zyrtarin ushtarak, ushtria rekomandon që “udhëheqja politike të arrijë një marrëveshje”. Ai po ashtu shprehu shpresën se një marrëveshje e tillë mund të finalizohet “këtë javë”.

Sipas burimit, ushtria është e gatshme të tregojë “fleksibilitet” në varësi të vendimeve që do të marrë udhëheqja politike e Izraelit, pa dhënë më shumë detaje.

Këto komente vijnë ndërkohë që ushtria izraelite ka intensifikuar ofensivën në Gaza, duke thelluar rrethimin dhe politikat e urisë ndaj civilëve në enklavën palestineze.

Të dielën në mëngjes, ushtria lëshoi një urdhër evakuimi për banorët e qytetit qendror Deir al-Balah, për herë të parë që nga fillimi i luftës, në përgatitje për një tjetër ofensivë të mundshme tokësore.

Ky urdhër evakuimi vjen derisa në Doha të Katarit vazhdojnë negociatat jo të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një armëpushimi dhe marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve.

Të shtunën, një burim palestinez zbuloi se Hamasi ka marrë harta të reja nga ndërmjetësit që tregojnë zonat aktuale të kontrollit izraelit në Gaza, të cilat lëvizja palestineze po i shqyrton si pjesë e procesit të negociatave.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake gjithashtu ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka shkaktuar mungesë ekstreme të ushqimit.

Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button