Samir Iseni: Gjenocidi i Srebrenicës nuk do të harrohet kurrë

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, Samir Iseni, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në parkun e Komunës së Çairit, kushtuar viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Në një postim publik, Iseni kujtoi masakrën e 11 korrikut 1995 si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, ku mbi 8 mijë persona, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u vranë në mënyrë çnjerëzore.
“Kjo tragjedi nuk është vetëm plagë e popullit boshnjak, por një thirrje për ndërgjegjen e mbarë njerëzimit”, theksoi Iseni, duke shtuar se “të kujtojmë është detyrim moral, ndërsa të kërkojmë drejtësi është përgjegjësi njerëzore”.
Ceremonia përkujtimore në Çair mblodhi përfaqësues institucionalë dhe qytetarë, të cilët me praninë dhe lutjet e tyre shprehën respekt dhe solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.