1 vit qeverisje, 1 vit barazi dhe dinjitet për çdo shqiptar!  

 

Një vit më parë, një forcë e re politike, me guxim dhe vizion, mori në dorë drejtimin e qeverisjes me një premtim të qartë: ta rrëzonte sistemin e kalbur dhe ta rindërtonte shtetin mbi themele drejtësie, barazie dhe zhvillimi të qëndrueshëm. Sot, me krenari të jashtëzakonshme, VLEN prezantoi një bilanc të shkëlqyer arritjesh që po ndryshojnë përfundimisht fytyrën e Maqedonisë së Veriut dhe fatin e shqiptarëve.

Në vetëm 12 muaj, VLEN ka shënuar një kapitull të ri në historinë politike dhe sociale, duke prishur barrierat e padrejtësive 22-vjeçare, duke miratuar Ligjin historik për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke funksionalizuar sistemin revolucionar One Stop Shop në pikat kufitare Bllacë, Jazhincë dhe Tabanoc, dhe duke nisur transformime epokale në arsim, infrastrukturë dhe ekonomi.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai deklaroi me vendosmëri se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është fitore e madhe, është dritarja e shpresës për çdo shqiptar. “Kjo qeveri nuk lejon më diskriminim, nuk toleron më padrejtësi. Diplomave shqiptare iu rikthehet vlera dhe përfaqësimi proporcional do të jetë standard i pakthyeshëm”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, përmbledhi punën e jashtëzakonshme të vitit. “Në një vit, ne mbyllëm kapitullin e zezë të kazinove që shkatërruan shoqërinë, investuam miliona në vetëpunësim, rritëm pagat dhe vendosëm standarde të reja për dinjitetin qytetar. Ky është fillimi i një revolucioni”, u shpreh Mexhiti.

Ndërkaq, Zeqirija Ibrahimi, vuri në pah ndryshimet historike në arsim. “Abetarja e Përbashkët Kombëtare është tashmë realitet, kampusi universitar ‘Nëna Terezë’ në Shkup po ngrihet, ndërsa gjimnazi ‘Sami Frashëri’ dhe shkolla në Nerovë janë shembuj konkretë të kujdesit dhe investimit që po i japim arsimit shqiptar”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, përshkroi zhvillimin ekonomik me fakte. “Rritja e pagës minimale, masat aktive për punësim, mbështetja për zejtarinë dhe digjitalizimi janë vetëm disa nga arritjet që tregojnë ndryshimin rrënjësor në qeverisje”, tha Kasami.

Koordinatori parlamentar, Bekim Qoku, theksoi rëndësinë e hapjes së kufijve dhe bashkëpunimit rajonal. “Me One Stop Shop në Bllacë, Jazhincë dhe Tabanoc, me interkoneksionin Tetovë–Prizren dhe projektet me Shqipërinë, po krijojmë ura që bashkojnë dhe fuqizojnë ekonomitë tona”, tha Qoku.

Në vetëm një vit, VLEN ka shënuar një revolucion të vërtetë në qeverisje, duke vendosur drejtësinë në qendër të veprimit të saj dhe duke ndërtuar institucione që nuk njihnin më korrupsionin e kapur dhe padrejtësitë e pafundme.

Sot shqiptarët kanë Ligj për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Sot mërgimtarët nuk presin me orë në kufi. Sot kemi Abetaren e Përbashkët Kombëtare, kampus universitar në ndërtim, gjimnaz të përfunduar në Kumanovë dhe shkollë funksionale në Nerovë, ëndrra që u bë realitet.

Kjo është qeverisja që nuk frikësohet nga e vërteta, që nuk bëhet peng i klientelave, por që punon për popullin e saj me pasion dhe vendosmëri. VLEN nuk erdhi për të ndryshuar emra, por për të ndryshuar sistemin. Nuk erdhi për të trashëguar korrupsionin, por për ta shkulur atë me rrënjë. Nuk erdhi për të heshtur, por për të vepruar. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re, ku shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë më të përjashtuar, por pjesë e barabartë e shtetit.

VLEN ndërton të ardhmen, të fortë, të drejtë dhe të ndritur për çdo qytetar shqiptar. Ndërsa ata që flasin për të kaluarën, ne po shkruajmë historinë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button