Microsoft do të shkurtojë 9 mijë vende pune, rreth 4 për qind të fuqisë punëtore

Ky raund i pushimeve nga puna është i katërti për këtë vit, pasi kompania shkurtoi rreth 1 për qind të fuqisë punëtore në muajin janar, mbi 6 mijë punonjës në muajin maj dhe 300 punonjës në muajin qershor

 

STAMBOLL (AA) – Microsoft, gjiganti i teknologjisë me seli në SHBA, ka bërë të ditur se do të pushojë nga puna 9 mijë punonjës, respektivisht rreth 4 për qind të fuqisë punëtore globale në ekipe, rajone dhe nivele të ndryshme përvoje, transmeton Anadolu.

 

Ky raund i pushimeve nga puna është i katërti për këtë vit, pasi kompania shkurtoi rreth 1 për qind të fuqisë punëtore në muajin janar, mbi 6 mijë punonjës në muajin maj dhe 300 punonjës në muajin qershor. Në vitin 2023, Microsoft gjithashtu shkurtoi 10 mijë vende pune.

 

Sipas të dhënave deri në muajin qershor të vitit 2024, kompania punësonte 228 mijë punonjës.

 

Pas blerjes së sektorit të pajisjeve dhe shërbimeve të Nokia-s në vitin 2014, Microsoft pushoi nga puna 18 mijë punonjës, ndoshta shkarkimi më i madh në historinë e korporatës.

 

sipas CNBC-së, Microsoft dëshiron të zvogëlojë numrin e niveleve të menaxherëve që ndajnë drejtuesit e lartë nga kontribuesit individual, ashtu siç bëri me pushimet nga puna në muajin maj.

 

“Për t’i pozicionuar ‘Lojërat’ për një sukses të qëndrueshëm dhe për të na lejuar të përqendrohemi në fushat e rritjes strategjike, ne do të ndërpresim ose zvogëlojmë punën në fusha të caktuara të biznesit dhe do të ndjekim shembullin e Microsoft në heqjen e shtresave të menaxhimit për të rritur shkathtësinë dhe efektivitetin”, shkroi Phil Spencer, shefi ekzekutiv i lojërave në Microsoft, në një regjistrim për punonjësit në atë sektor.

 

Microsoft raportoi gati 26 miliardë dollarë të ardhura neto nga 70 miliardë dollarë të ardhura në tremujorin e fundit, mbi pritjet e tregut.

 

Kompania qëndron si firma e dytë më e vlefshme në botë me një kapital tregu prej 3.66 trilionë dollarësh, duke humbur së fundmi vendin e parë ndaj kompanisë Nvidia.

 

Aksionet e kompanisë u rritën me 0,11 për qind deri në orën 15:10 GMT, duke arritur në 492.59 dollarë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button