Arrestohet një shofer kamioni nga Maqedonia e Veriut pas aksidentit në Greqi ku humbën jetën babë dhe bir

Në rrugën e vjetër nacionale Selanik-Veria në Greqi, dje ndodhi një aksident i rëndë trafiku, kur një veturë u përplas me një kamion, ku si pasojë humbën jetën një baba dhe djali i tij i mitur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:00, kur automjeti me një familje katëranëtarëshe u përplas, në rrethana ende të paqarta, me një kamion në segmentin mes Halkidonit dhe Luidias.
Sipas Protothema.gr, në veturë ndodheshin edhe bashkëshortja e shoferit dhe djali i tyre 9-vjeçar, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital në Selanik.
Shoferi i kamionit nuk është lënduar në aksident. Bëhet fjalë për një burrë 34-vjeçar me origjinë nga Maqedonia, i cili është arrestuar pas aksidentit.
Policia greke po heton rastin dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik janë ende duke u përcaktuar.