Kryetarja e Parlamentit bullgar: Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë RMV-në në rrugën drejt BE-së

Kryetarja e Kuvendit Popullor të Bullgarisë, Natalija Kiselova, deklaroi se vendi i saj do të vazhdojë përpjekjet për të mbështetur Republikën e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, raporton BNR.
“Bullgaria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut në asnjë formë, përveç respektimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë të vitit 2018 dhe Konsensusit Evropian të vitit 2022, pra detyrimeve që Maqedonia e Veriut i ka pranuar vetë, por që deri tani nuk janë përmbushur. Ata kërkojnë arsye për të mos i përmbushur ato detyrime dhe kështu vonojnë marrjen e ftesës. Bullgaria po zgjat dorën dhe mendoj se në javët në vijim do të jemi dëshmitarë të përpjekjeve për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të nisë negociatat, sepse është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Kiselova.
Ajo kujtoi se këto elemente të pozicionit bullgar janë të përfshira në një vendim të parlamentit bullgar, i cili është miratuar unanimisht nga deputetët në fund të muajit maj.