Vendet e NATO-s dakordohen t’i rrisin shpenzimet në 5 për qind të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2035, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së samitit, udhëheqësit e 32 vendeve përsëritën angazhimin e tyre ndaj Nenit 5 të NATO-s, i cili premton mbrojtje kolektive.
“Të bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë, veçanërisht kërcënimit afatgjatë të Rusisë ndaj sigurisë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët angazhohen deri në vitin 2035 të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së së tyre vjetore për nevojat themelore të mbrojtjes dhe shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, në mënyrë që të përmbushin detyrimet tona individuale dhe kolektive sipas Nenit 3 të Traktatit të Washingtonit”, thuhet në deklaratë.
Objektivi i shpenzimeve prej 5 për qind do të përfshijë dy investime themelore në mbrojtje, theksohet në deklaratën në të vilën vihet në dukje se aleatët premtojnë të ndajnë të paktën 3.5 për qind të PBB-së për të përmbushur “kërkesat themelore të mbrojtjes dhe objektivat e aftësive të NATO-s”.
Gjithashtu në deklaratë vihet në dukje se u arrit një marrëveshje për të ndarë 1.5 përqindëshin e mbetur të shpenzimeve për investime të tilla si “mbrojtja e infrastrukturës kritike, sigurimi i gatishmërisë dhe rezistencës civile dhe forcimin e bazës së industrisë së mbrojtjes”.
Shpenzimet do të rishikohen në vitin 2029, bëhet e ditur në deklaratën ku përsëritet angazhimin për të ofruar mbështetje për Ukrainën dhe në cilën theksohet se kontributet në mbrojtjen e Ukrainës do të përfshihen gjithashtu në ekuacion gjatë llogaritjes së shpenzimeve të mbrojtjes të aleatëve.
Pasi vihet theksi mbi vendosmërinë për të zgjeruar me shpejtësi bashkëpunimin transatlantik në industrinë e mbrojtjes, në deklaratë ndër të tjera thuhet: “Ne do të punojmë për të eliminuar barrierat tregtare të mbrojtjes midis nesh dhe do të përdorim partneritetet tona për të promovuar bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes”.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se Samiti i NATO-s i vitit 2026 do të mbahet në Turqi.