“Ryshfeti” / 49 persona të përfshirë në hetimin e Prokurorisë mes tyre mjekë amë, specialistë, avokatë e zyrtarë të tjerë

Pacientë, mjekë amë, specialistë, avokatë e zyrtarë të institucioneve shëndetësore nga Shkupi, Velesi, Tetova, Gostivari e disa qytete të tjera, janë në mesin e 49 të përfshirëve në hetimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Personat e përfshirë, sipas organit të akuzës dyshohet se nëpërmjet ryshfetit, në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar që persona të tjerë të përfitojnë ndihmë financiare për kujdes ndaj personi tjetër edhe pse ajo nuk u ka takuar. Për të realizuar këtë të drejtë, kërkuesit kanë dhënë ryshfet me qëllim që të lehtësohet procedura. Prokuroria informon se një rast i tillë ka ndodhur në Veles, ku nëpërmjet mjekëve amë, kanë kurdisur që kërkuesit që kanë dhënë ryshfet të dalin përpara Komisionit Profesional për dhënien e mendimeve në “Spitalin e Përgjithshëm të Velesit”.
“Anëtarët e grupit pa praninë e personave të cilët kanë dhënë ryshfet kanë siguruar kontrolle mjekësore fiktive te mjekët amë, por edhe kontrolle klinike ose spitalore te mjekët dhe personat mjekësorë. Njëkohësisht të dyshuarit kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme, kanë përgatitur, siguruar dhe përdorur dokumentacion mjekësor si udhëzime mjekësore, fletëlëshime, raporte mjekësore, kontrolle, teste psikologjike, mendime konsiliare, vërtetime për pajisje mjekësore me dokument të pavërtetë. Me veprimet e ndërmarra të dyshuarit i kanë shmangur dispozitat nga Ligji për Mbrojtje Shëndetësore ku janë të përcaktuara kushtet për marrjen e ndihmës financiare për ndihmë për person tjetër dhe ndihmë për person me pengesa dhe paaftësi për jetesë të pavarur”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në kuadër të hetimit Prokuroria ka përfshirë edhe disa persona që nëpërmjet ryshfetit personat e shëndoshë i kanë nxjerrë me pension invalidorë, respektivisht duke shfrytëzuar dokumente mjekësore të rrejshme. Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2023 një e punësuar në Klinikën Universitare për Hundë dhe Veshë në Shkup, por edhe një i punësuar në Ministrinë e Punës Sociale kanë krijuar grup, të cilit i janë bashkëngjitur edhe dy persona të tjerë me qëllim të krijimit të skemës, e cila në këmbim të ryshfetit, do të nxirrte në pension invalidorë persona që nuk i plotësojnë kushtet ligjore.
“Organizatorët dhe përfaqësuesit me veprime koordinuese kanë kërkuar dhe pranuar mjete financiare – ryshfet nga persona kërkues të të drejtës për pension invalidor. Me veprimet e ndërmarra anëtarët e dyshuar të grupit, kërkuesve u kanë siguruar plotësim të kushteve për udhëheqje të procedurës për përfitim të të drejtës së pensionit invalidor, në bazë të të cilës përfaqësuesit e grupit kriminal në Komisione me shfrytëzim të ndikimit të tyre real dhe detyrës zyrtare kanë mundësuar udhëheqje të suksesshme të procedurës për përfitim të të drejtës së pensionit invalidor, por edhe miratim të vendimit në dobi të kërkuesve të të drejtës së pensionit ivalidor që kanë dhënë ryshfet”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që 12 të dyshuarve t’u caktohen masa e paraburgimi, 3 arrest shtëpie, ndërsa të tjerëve masa kujdesi. Gjatë aksionit policorë, nga Policia njoftuan se kanë sekuestruar 110 mijë euro, 65 mijë denarë, 100 dollarë, telefona celularë, fletore ku ka të dhëna për borxhlinj, dokumente të ndryshme mjekësore dhe faksimile.