Mbahet Marshi i Paqes “Bllaca ‘99”, Ibrahimi: Ky kufi ishte kufiri mes jetës dhe vdekjes!

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka marrë pjesë në Marshin e Paqes “Bllaca ‘99” në kujtim të ngjarjes ku forcat e regjimit vrastar të Millosheviqit kishin përzënë rreth 1 milion burra, gra fëmijë dhe pleq.
Kjo ngjarje u organizua nga Unionin i Shoqatave Bjeshkatare Shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe Instituti i Krimeve të Luftës nga Prishtina
“Më 6 prill 1999, pikërisht këtu në ndërmjetkufi (në Bllacë), ka qenë një rrëmet i vërtetë. Ky kufi ishte njëherazi edhe kufiri mes jetës e vdekjes, që ishte një pikë loti dhe pastaj një batanie mbi kufomë, sepse qindra mijë shqiptarët e deportuar të Kosovës, që kishin mbetur një javë këtu pa ushqim, në shi e në tmerr, nuk të lejonin më shumë kohë.
Eksodi i shqiptarëve të Kosovës, me ç’rast regjimi vrastar i Millosheviqit i përzuri rreth 1 milion burra, gra, fëmijë e pleq, është shembulli më i keq se deri në ç’masë arrin ligësia e një njeriu dhe albanofobia e një të krisuri.
Sot – 26 vjet më vonë, përmes Marshit të Paqes “Bllaca ’99, duke ecur mes Kaçanikut e Hanit të Elezit (nëpër shteg malor), e kujtuam këtë ngjarje dhe i rikthyem kujtimet e dhimbshme të asaj pranvere që ka qenë po kaq e ftohtë si sot, që – për fatin tonë – atëherë ishte shfryrja e fundit për liri, ndërsa sot është freski e kujtesës historike.
Po i postoj këtu disa fotografi të këtij marshi, ku jemi bashkë me disa shokë që atëbotë – në cilësinë e aktivistëve humanitarë – e kishim përjetuar atë ngjarje.
E përgëzoj për organizimin Unionin e Shoqatave Bjeshkatare Shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe Institutin e Krimeve të Luftës nga Prishtina.
Uroj që të bëhet traditë!”, ka shkruar Ibrahimi.