Petrovska: Lufta kundër korrupsionit çështje sigurie, mbështesim SHBA-të

Njoftimet e SHBA-ve për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe zgjerimin e “listës së zezë” i ka përkrahur edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Ajo thotë se korrupsioni është çështje sigurie, prandaj lufta kundër tij nuk duhet të jetë vetëm deklarative. Ajo pret që institucionet e vendit të reagojnë më me shkathtësi në të ardhmen, raporton DW.

Kjo deklaratë vjen pasi ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, paralajmëroi se në vend ka një epidemi korrupsioni. Se në 10 vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të korrupsionit e vërteton edhe “lista e zezë” e SHBA-së, në të cilën vetëm në 8 muajt e fundit janë gjetur më shumë emra të njohur politikanësh dhe biznesmenësh. Sipas Ageler, kjo listë është një përpjekje për të ndihmuar autoritetet maqedonase që të fillojnë të merren me problemet.

“Asnjë motiv i fshehtë”

Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska thotë se në mesazhet e Angela Ageler dhe përfaqësuesve të SHBA-ve nuk sheh “ndonjë motiv të fshehtë, por përkundrazi, ata thjesht do të mbështesin gjithçka që ne si shtet dhe shoqëri po përpiqemi të bëjmë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si ndikon shpallja e emrave të rinj në listën e zezë nga ambasadorja Ageler në integrimin evropian të Maqedonisë, Petrovska para fillimit të konferencës rajonale “Paqe dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor”, tha:

“Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë lloj tranzicionesh kemi kaluar në të kaluarën e afërt dhe të largët, çfarë vendimesh duhej të merrnim, të cilat ndonjëherë mund të kenë qenë të vështira dhe sfiduese politikisht. Megjithatë, ato u miratuan në mënyrë që ne të arrijmë qëllimet tona strategjike. Në të gjitha ato mesazhe që dëgjuam dje, por edhe ditët e kaluara, si nga ambasadorja, ashtu edhe nga përfaqësuesit e SHBA-së, nuk shoh ndonjë motiv të fshehtë”.

Si ministre e mbrojtjes dhe mbi të gjitha si qytetare, ajo thotë se korrupsioni është çështje sigurie.

“Nëse nuk ke kontroll mbi atë segment të shoqërisë, nuk mund të jesh kurrë i sigurt se ku do të përfundojnë ato para, kush do të financohet dhe kur ”. Nuk po flasim për destabilizime të mëdha, por në një moment të caktuar mund të destabilizojnë shtetin në ndonjë mënyrë. Dhe nuk po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, por kudo”, thotë Petrovska.

Lista e zezë amerikane e ish-zyrtarëve dhe biznesmenëve aktualë, të dyshuar për korrupsion është rritur vazhdimisht që nga prilli i vitit 2022, kur ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe ish-shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalkov ishin të parët në të. Në qershor të këtij viti në këtë listë u vendos kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko, i ndjekur nga biznesmeni Jordan Kamçev me nënën e tij Ratka, si dhe biznesmeni rus Sergej Samsonenko dhe bashkëshortja e tij Irina. Në të njëjtën kohë, disa kompani të tyre u bllokuan.

Më 5 dhjetor, SHBA-ja futi në listën e zezë edhe ish-zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, për shkak të “korrupsionit të madh”. Angjushevit dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button