KQZ pritet t’i shpallë të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i shpallë të shtunën e 15 marsit rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fillim të muajit të kaluar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se komisioni pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, raporton Koha.

Zvarritja e shpallës së rezultateve përfundimtare vjen si pasojë e telasheve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk arriti ta marrë shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve për ta formuar e vetme qeverinë.

Ajo i siguroi 48 ulëse në Parlamentin me 120 sosh, dhe Kurti është zotuar se partia e tij do ta vazhdojë qeverisjen e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 ulëse, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma 8 ulëse, ndërsa Lisa Serbe 9.

Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara.

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”, tha Kurti për media ditë më parë.

Tri partitë e mëdha opozitare kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në e Kurtit.

Por, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me
AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”. /rel/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button