Rajoni evropian “pushtohet” nga fruthit, OBSH apelon për veprim urgjent

Udhëheqësi teknik i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Evropë, Dragan Jankovic, ka deklaruar se pothuajse 130 mijë rastet e fruthit të raportuara në Evropë në vitin 2024 janë të papranueshme dhe kërkojnë “veprim të menjëhershëm”, transmeton Anadolu.

Jankovic i referohej një raporti të botuar së fundmi nga OBSH-ja dhe UNICEF-i, ku 127.350 raste të fruthit u dokumentuan në rajonin evropian për vitin 2024, dyfishi i numrit të rasteve të raportuara për vitin e mëparshëm dhe numri më i lartë që nga viti 1997.

Rajoni përbëhet nga 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore.

Sipas raportit, fëmijët nën 5-vjeç përbënin më shumë se 40 për qind të rasteve të raportuara në rajon dhe më shumë se gjysma e rasteve të raportuara kërkonin shtrimin në spital. Në bazë të të dhënave paraprake gjithashtu u raportuan gjithsej 38 vdekje.

Jankovic tha se numri i rasteve në fund të vitit 2024 shënoi rënie, megjithatë zakonisht numri i rasteve rritet në fillim të vitit.

Ai tha se shumica e rasteve në rajonin evropian ndodhin në periudhën nga muaji shkurt deri në muajin maj, duke theksuar më tej se, “Kjo është një thirrje në kohë për të vepruar”.

Ai po ashtu tha se fushata të imunizimit plotësues kërkohen urgjentisht për të mbrojtur fëmijët që humbën vaksinat e rregullta gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas raportit, një rigjallërim i rasteve u regjistrua në vitet 2018 dhe 2019, përkatësisht me 89 mijë dhe 106 mijë raste të raportuara.

Pas një rënie në mbulimin e imunizimit gjatë pandemisë COVID-19, në raport thuhet se rastet u rritën ndjeshëm përsëri në vitet 2023 dhe 2024, pasi shkalla e vaksinimit në shumë vende ende nuk është kthyer në nivelet para pandemisë, duke rritur rrezikun e shpërthimeve.

Jankovic u bëri thirrje vendeve që të përcaktojnë dhe hartojnë arsyet specifike për pranimin e ulët të vaksinave brenda popullatës së tyre, pavarësisht nëse janë çështje të sistemit shëndetësor, arsimit apo faktorë social.

“Rajoni evropian përbënte një të tretën e të gjitha rasteve të fruthit në nivel global në vitin 2024. Vetëm në vitin 2023, 500 mijë fëmijë në të gjithë rajonin humbën dozën e parë të vaksinës së fruthit (MCV1) që duhet të jepet përmes shërbimeve rutinë të imunizimit”, thuhet në raport.

– Maqedonia e Veriut ndër vendet me më pak se 80 për qind të fëmijëve të vaksinuar me MCV1

Raporti i OBSH-së dhe UNICEF-it njoftoi se më pak se 80 për qind e fëmijëve të kualifikuar në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Rumani u vaksinuan me MCV1 në vitin 2023, një shifër shumë më poshtë se niveli i mbulimit prej 95 për qind që kërkohet për të ruajtur imunitetin e tufës.

Në vitin 2024, Rumania raportoi numrin më të madh të rasteve në rajon me gjithsej 30.692 raste, e ndjekur nga Kazakistani me 28.147 raste.

Jankovic tha se deri më tani shumica e rasteve janë raportuar në Evropën Lindore dhe Azinë Qendore, megjithëse edhe vendet e Evropës Perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania po ashtu u prekën nga shpërthimi.

Jankovic po ashtu përmendi edhe rastet e importuara.

“Çështja është pamundësia për të kontrolluar importin tani, mendoj se kemi pak vende në jug dhe në perëndim të Evropës, Spanjë dhe Francë, që raportojnë raste që lidhen me importet”, tha ai.

Ai theksoi se vetëm në muajin janar të vitit 2025 janë raportuar 3 mijë raste të fruthit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button