Bashkimi i pavarësive

Sot për sot, të gjitha energjitë e shqiptarëve duhen përqendruar në jetësimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Pa një Kosovë të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht si të tillë, nuk mund të ketë integrim mes shteteve shqiptare. Jam kategorikisht kundër çdo ideje që pretendon se pavarësia e Kosovës shkon në dëm të integrimit e bashkimit. Përkundrazi, pavarësia e shtetit të Kosovës dhe sovraniteti i plotë i saj janë kushte bazë për fillimin e procesit përbashkues.
Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë
Një nga aspektet më interesante të traditës së trajtimit të historisë moderne të shqiptarëve është ai i lëvizjes kombëtare dhe i aspiratës për unitet kombëtar si një nga kërkesat kryesore të kësaj tradite. Megjithatë, ajo që qartazi ka munguar është mosmarrja parasysh e veçorive të ndryshme të kontekstualizimit të kësaj aspirate. Uniteti kombëtar, që sot shprehet si bashkim kombëtar, nuk ishte i njëjtë në kontestet e ndryshme kur doli si urgjencë. Tri momente kyçe në këtë këndvështrim ia vlen të shqyrtohen: aspirata dhe procesi i bashkimit në Lidhjen e Prizrenit, bashkimi politik e faktik në Luftën e Dytë Botërore dhe vazhdimi i kësaj aspirate historike në shekullin XXI. Në çdo periudhë të sipërthënë, synimi për njësim ka marrë forma të ndryshme, duke filluar nga bashkimi i katër vilajeteve osmane në shek. XIX, kalimi në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, përfundimisht, në kohën e sotme, ku bashkimi i dy shteteve të pavarura shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të shihet si e vetmja rrugë e qëndrueshme dhe e duhur për të garantuar një të ardhme të përbashkët.
Lidhja e Prizrenit dhe bashkimi i katër vilajeteve
Lidhja e Prizrenit, e themeluar në vitin 1878, ishte një lëvizje politike dhe ushtarake që synonte të mbronte tokat shqiptare nga ndarjet e propozuara nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit. Një nga qëllimet kryesore të Lidhjes ishte bashkimi i katër vilajeteve osmane me shumicë shqiptare: Shkodra, Kosova, Manastiri dhe Janina. Kjo ide nuk ishte thjesht një aspiratë politike, por një mënyrë për ta ruajtur unitetin etnik dhe kulturor të shqiptarëve, në kushtet e kërcënimit të këtij uniteti nga shtetet dhe entitetet e reja ballkanike dhe nga vetë organizimi administrativ i hapësirës shqiptare nga ana e shtetit osman.
Lidhja kishte një program të qartë për autonomi brenda Perandorisë Osmane, me qëllim përfundimtar të bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një entitet të vetëm. Megjithëse ky synim nuk u realizua plotësisht për shkak të rezistencës së Perandorisë Osmane dhe ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha, Lidhja e Prizrenit i hodhi themelet për lëvizjet kombëtare të ardhshme. Mirëpo, duhet saktësuar se modeli i kërkuar i bashkimit ishte një model i bashkimit të varësive ose vilajeteve. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk arriti të materializohej, sepse ishte varësia nga një vullnet më i lartë politik, që e zhbëri me lehtësi në momentin kur e gjykoi të panevojshme ekzistencën dhe esencën e Lidhjes.
Lufta e Dytë Botërore dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, synimi për bashkim u shfaq përsëri me forcë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939 dhe, më vonë, nga Gjermania naziste, u krijua një situatë politike e ndërlikuar. Në këtë kontekst, Kosova u bashkua me Shqipërinë në vitin 1941, një akt që u miratua nga pushtuesit e huaj, por që përfaqësonte edhe një realizim të ëndrrës së shqiptarëve për unitet. Ky bashkim, megjithëse i shkurtër, kishte një ndikim të madh psikologjik dhe kombëtar. Ai tregoi se shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë e ndjenin veten si pjesë e të njëjtit komb, pavarësisht nga kufijtë politikë. Megjithatë, pas përfundimit të luftës, Kosova u kthye nën kontrollin e Jugosllavisë, duke lënë të papërmbushur ëndrrën e bashkimit. Edhe në këtë rast, bashkimi nuk e kishte komponentin e pavarësisë së pjesëve të bashkuara dhe prandaj u zhbë me zhbërjen e entitetit politik më të lartë të radhës, në rastin konkret humbjes së Italisë dhe Gjermanisë në luftë.
Shekulli XXI: Bashkimi i vërtetë, bashkimi i dy shteteve të pavarura
Në shek. XXI, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, diskutimi për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës ka marrë një dimension të ri. Ndryshe nga periudhat e mëparshme, tani kemi dy shtete të pavarura që synojnë njëkohësisht të integrohen në Bashkimin Europian. Bashkimi i dy shteteve të pavarura, Shqipërisë dhe Kosovës, nëpërmjet bashkëpunimit dhe integrimit, është e vetmja rrugë e qëndrueshme dhe e duhur për të garantuar një të ardhme të përbashkët. Bashkimi i vetëm i vërtetë dhe i qëndrueshëm është bashkimi i shteteve të pavarura. Pra, bashkimi i qëndrueshëm është pavarësim i Kosovës nga Serbia, bashkim i dy shteteve shqiptare të pavarura dhe më tej integrimi i shtetit shqiptar të bashkuar dhe të pavarur në Bashkimin Europian. Për këto arsye, energjitë tona duhen përqendruar në realizimin e plotë të procesit të pavarësisë së Kosovës. Kjo pavarësi u shpall me kusht që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë. Mirëpo, pavarësia me kushte në fakt nuk është pavarësi e plotë dhe pa pavarësinë e plotë dhe pa kushte të Kosovës, nuk mund të bëhet bashkimi kombëtar.
Integrimi europian nuk është bashkim kombëtar dhe as e zëvendësojnë njëri-tjetrin
Një nga keqkuptimet që shpesh ndodh në debatin publik është ideja se anëtarësimi në BE do ta zëvendësojë nevojën për bashkim kombëtar ose do ta bëjë atë të panevojshëm. Realiteti është se, edhe pse integrimi mund të sjellë lehtësira të shumta për shqiptarët në të gjitha shtetet ku jetojnë, ai nuk mund të zëvendësojë vetëdijen kombëtare dhe përpjekjet për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat. Integrimi europian ka qenë një nga proceset më të rëndësishme politike dhe ekonomike për vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Megjithatë, ky integrim shpesh keqkuptohet ose ngatërrohet me konceptin e bashkimit kombëtar, veçanërisht në kontekstin shqiptar. Konceptet e integrimit dhe bashkimit kombëtar, ndonëse mund të kenë pika të përbashkëta, janë procese të ndryshme me qëllime dhe pasoja të ndryshme historike, politike dhe shoqërore. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e shqiptarëve, mbështetja e integrimit europian dhe të modernizimit të shoqërisë shqiptare nuk bie ndesh me bashkimin shqiptar. Integrimi në Bashkimin Europian dhe bashkimi kombëtar janë dy koncepte të ndryshme që nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por as nuk mund ta zëvendësojnë njëri-tjetrin.
Integrimi europian është një proces i bazuar në harmonizimin e legjislacionit, standardeve ekonomike dhe politike të vendeve aspirante me ato të Bashkimit Europian. Qëllimi kryesor i këtij procesi është krijimi i stabilitetit politik, zhvillimi ekonomik dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve sipas parimeve demokratike europiane. Shqipëria dhe Kosova kanë synuar prej vitesh të bëhen pjesë e kësaj familjeje të madhe politike dhe ekonomike, duke parë te BE-ja një mundësi për zhvillim dhe siguri.
Nga ana tjetër, bashkimi kombëtar është një aspiratë historike, që ka rrënjë të thella në identitetin kombëtar dhe ndjenjën e përkatësisë etnike. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi ndajnë një gjuhë dhe një kulturë të përbashkët, dhe duhet të shohim në bashkimin kombëtar mënyrën më të sigurt për të realizuar të drejtat historike dhe për të forcuar pozitën tonë në rajon.
Integrimi në BE nuk mund të konsiderohet si një formë e re e bashkimit kombëtar për disa arsye. Së pari: natyra dhe qëllimet e ndryshme. Bashkimi Europiaa është një bashkësi shtetesh që ruajnë sovranitetin e tyre, ndërsa bashkimi kombëtar nënkupton bashkimin e territoreve të ndara të një kombi në një shtet të vetëm. Së dyti: mungesa e një politike të përbashkët kombëtare. Bashkimi Europian promovon bashkëpunimin ndërmjet shteteve, por nuk përkrah ndryshime të kufijve apo projekte kombëtariste që synojnë unifikimin politik të një kombi. Së treti: ruajtja e identiteteve kombëtare. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk e eliminon ndjenjën kombëtare dhe as nuk e zëvendëson atë me një identitet të ri europian, por krijon një hapësirë më të gjerë për zhvillimin dhe ruajtjen e kulturave kombëtare.
Megjithëse janë koncepte të ndryshme, integrimi europian dhe bashkimi kombëtar jo vetëm që nuk janë kundërshtues, por përkundrazi, me mend e strategji të mirëfilltë do të duhej të ishin thelbësisht plotësues të njëri-tjetrit. Një integrim i suksesshëm i Shqipërisë dhe Kosovës në BE pa dyshim që krijon një hapësirë më të madhe bashkëpunimi mes shqiptarëve, duke eliminuar kufijtë administrativë dhe duke lehtësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe sociale. Modeli i Bashkimit Europian ka treguar se kufijtë mund të bëhen më pak të rëndësishëm kur ekzistojnë politika të përbashkëta dhe është vepruese lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave. Në fakt, një integrim më i madh i shqiptarëve në BE është një ndihmesë jashtëzakonisht e mirëpritur në afrimin mes nesh, duke krijuar një hapësirë të lirë të lëvizjes, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik e kulturor.
Integrimi europian dhe bashkimi kombëtar janë dy procese që edhe pse nuk mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin, megjithatë mund të bashkëjetojnë dhe të plotësohen në mënyrë të ndërsjellë. Duhet ta shohim BE-në si një mundësi për të forcuar pozitat tona ekonomike, politike dhe kulturore, pa braktisur idenë e unitetit kombëtar. E ardhmja e shqiptarëve nuk qëndron në përjashtimin e njërës ide në favor të tjetrës, por në kombinimin e tyre në një mënyrë që siguron stabilitet, prosperitet dhe respekt për të drejtat tona historike. Duhet të punojmë paralelisht për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve kombëtare, ndërkohë që angazhohemi për integrimin europian si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të siguruar stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse një qasje pragmatike, ku si shqiptarë punojmë për integrimin europian dhe njëkohësisht për forcimin e lidhjeve tona kombëtare deri në bashkim, është një strategji më e mençur, e realizueshme dhe e qëndrueshme. Në përfundim, integrimi europian dhe bashkimi kombëtar janë dy realitete të ndryshme që nuk duhet të ngatërrohen me njëri-tjetrin. Ndërkohë që integrimi në BE sjell përfitime të shumta ekonomike dhe politike, ai nuk e zëvendëson bashkimin kombëtar si aspiratë historike.
Natyrisht, duhet theksuar se edhe termi bashkim duhet qartësuar sepse ka marrë një ngarkesë kuptimore të shtrembëruar dhe që shtrembëron pastaj edhe perceptimin tonë për bashkimin. Në këtë aspekt mendoj se duhet të flasim më shumë për fundin e copëtimit se sa për bashkimin. Pra, bashkimi është natyrshmëri, kurse copëtimi është panatyrshmëri. Trojet dhe populli janë të bashkuara, thjesht janë muret e copëtimit që duhen shembur. Trojet dhe populli aty kanë qenë, aty janë dhe aty do të jenë, pavarësisht mureve e gardheve politike. Shqiptarët si një komb që ka qenë i ndarë jo vetëm nga kufijtë gjeopolitikë, por edhe nga ndikimet e jashtme dhe konfliktet e brendshme e kuptojnë më shumë se askush se kjo ndarje ka pasur pasoja të rënda për zhvillimin tonë politik, ekonomik dhe social. Kufijtë politikë janë hendeqe që janë hapur përdhuni në trupin e këtij populli dhe që kanalizojnë limfën jetëdhënëse të zhvillimit ekonomik, kulturor, shpirtëror drejt destinacioneve të tjera, ose drejt asgjësë. Pra, duhet të flasim për zhbërjen e copëtimit më shumë se sa për bashkim, pa e vënë në pikëpyetje dhe as në dyshim se Shqipëria dhe Kosova duhet të integrohen në një shtet shqiptar. Çdo zgjidhje tjetër është vetëm bjerrje kohe dhe neglizhim i përgjegjësisë që kemi ndaj fëmijëve tanë për t’u lënë trashëgim një botë më të mirë se sa e gjetëm nga prindërit tanë. Nuk ekziston asnjë rrugëdalje dhe as rrugëhyrje tjetër përveç integrimit të dy shteteve në një shtet të vetëm. Çdo ide tjetër është thjesht iluzion dhe pamundësohet nga realiteti. Sa më shpejt që të realizohet, aq më shpejt dalim nga spiralja e dështimit shtetëror që na ka gllabëruar.
Prandaj, sot për sot, gjithë energjitë e shqiptarëve duhen përqendruar në jetësimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Pa një Kosovë të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht si të tillë, nuk mund të ketë integrim mes shteteve shqiptare. Jam kategorikisht kundër çdo ideje që pretendon se pavarësia e Kosovës shkon në dëm të integrimit e bashkimit. Përkundrazi, pavarësia e shtetit të Kosovës dhe sovraniteti i plotë i saj janë kushte bazë për fillimin e procesit përbashkues. Vetëm shtetet e pavarura bashkohen. Shtetet ose territoret që nuk janë të pavarura gjithashtu përfshihen në shtete apo territore të tjera, jo si pasojë e bashkimit, por e pushtimit, aneksimit, këmbimit, apo cedimit. Po ashtu, kombet nuk bashkohen me njeri-tjetrin, por vetëm bashkohen në vetvete. Një komb mund të asimilohet në një komb tjetër, por nuk ndodh kurrë të bashkohet me një komb tjetër, në një komb të përbashkët. Nuk mund të bashkohemi mes veti pa u ndarë nga fqinjët. Pavarësia e Kosovës na ndan nga fqinjët. Pavarësia e Kosovës nuk është ndarje nga Shqipëria, por nga Serbia. Pa u ndarë nga Serbia, nuk mund të imagjinohet as bashkimi kombëtar, as integrimi europian. Nuk ka dyshim po ashtu se një shtet i realizuar shqiptar në vend të shteteve të dështuara shqiptare, natyrisht do të ishte shumë i zymtë dhe i mangët pa kontributin dhe rolin e pakicave etnike.